– Personat që u angazhuan në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj i kanë ndjekur anëtarët e familjes së 51-vjeçarit dhe i kanë monitoruar të gjitha lëvizjet e tyre. Gjithashtu, siç raportohet, dy javë para vrasjes së Nikulajt, një automjet tip “Hummer” është konstatuar në hyrje të pedonales së Shëngjinit. Dy persona të panjohur kanë qëndruar për një kohë të gjatë në vendin e njohur si lapidari dhe më pas janë larguar. Ndërsa vetëm 3 ditë para vrasjes së Nikulajt, një automjet tip “Golf” është konstatuar nga vëllai i viktimës. Ky i fundit e ka vënë re që mjeti në fjalë e ndiqte teksa udhëtonte me një mikun e tij.
Deri më tani raportohet se në atentat kanë marrë pjesë të paktën 3 persona,. Dy prej tyre kanë marrë pjesë si vëzhgues, ndërsa një ka qenë organizatori. Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e së mërkurës kur sapo kishte hyrë dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Nikulaj ishte biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit.
Autori, siç u pa nga pamjet, mban një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha. Ai futet në lokal, qëllon me armë Nikulajn dhe pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt largohet qetësisht me motor nga vendngjarja. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim, ndërkohë që pista ku po hetohet është ajo e gjakmarrjes. Kjo pasi Nikulajt i është vrarë një vëlla nga pjesëtarë të fisit Balaj. Kjo ngjarje është pasuar në dy të vrarë nga familja Balaj dhe për asnjërën nga ngjarjet nuk ka pasur të arrestuar. Nuk përjashtohen konfliktet për bizneset apo politikën.