Kandidatura e Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko i ftuar në Arnautistan të Mustafa Nanos, në MCN TV, foli mbi arsyet e përzgjedhjes së kandidaturës së tij nga ana e kryesisë së demokratëve, për të garuar në zgjedhjet e 14 majit.
Nano në hapje të emisionit tha se Roland Bejkon e kishte menduar se mund të merrte çdo post tjetër, deri tek ajo e presidentit, por kurrë nuk e kishte menduar një kandidat potencial në krye të bashkisë së Tiranës. Bejko teksa konfirmoi se edhe ai vetë nuk e kishe menduar më parë një gjë tillë, pranoi se rrethanat e detyruan të pranonte ofertën e kryesisë së partisë, për të garuar në postin e kryetarit të bashkisë më të madhe të vendin tonë.
“S’kisha kohë të mendohesha shumë, sepse kështu erdhën rrethanat aty, pas propozimit që të kishte një kandidaturë tjetër. Unë vetë propozova Jonila Godolen, pedagoge, sepse mendova se profili i një femre do të ishte kandidatura e duhur për t’i dhënë pak ngjyra kësaj situate, që ka agravuar si në një situatë lufte brenda PD-së, me pjesën tjetër që për fatin e keq ka marrë Berisha me vete. Në fund, shumica e kryesisë vendosi se unë isha kandidatura e duhur, nisur edhe nga kjo situatë që thashë, por edhe nga qëndrimet e mia, që kanë qenë qëndrime ta qarta, të prera, të vendosura, lidhur me atë çka duhet të bëjë Partia Demokratike, duke u ndarë qartësisht nga berishizmi dhe duke projektuar një vizion të ri”, tha Bejko.
Kandidati demokrat për Tiranën shtoi edhe arsye të tjera, veç ndarjes ideologjike, që lidhen me ekspertizën dhe karrierën e tij në të kaluarën, në drejtim të pushtet lokal.
“Ashtu siç u vendos edhe në Kongresin e Partisë Demokratike, më 18 dhjetor të vitit të kaluar. Të ndahemi nga e kaluara dhe të shohim nga e ardhmja. Kjo ishte arsyeja kryesore”, tha Bejko. “Por ka edhe një arsye teknike që ka të bëjë me faktin se unë jam sekretar i pushtetit vendor në Partinë Demokratike. Jam njeriu që kam marrë pjesë në hartimin e programit të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2021 dhe të pushtetit vendor. Kam qenë drejtor i përgjithshëm i hartimit të politikave të decentralizimit të pushtetit vendor dhe të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian në vitet 2010, 2011, 2012. Kam qenë prefekt në Berat dhe ekspert pranë grupit parlamentar të Partisë Demokratike para disa muajsh për rishikimin e Reformës Territoriale. Kam zhvilluar edhe shumë projekte që kanë të bëjnë me pushtetin vendor, në bashkëpunim më agjencitë e huaja në Shqipëri”, u shpreh Roland Bejko, lidhur me vendimin për të kandiduar në Tiranë.