Pse për Berisha-Metaj, 14 maji është shansi i fundit për mbijetesë!


Nga Dash Frashëri, botues i Izraeli Sot

Në zgjedhjet vendore për të cilat duhen më pak se 40 ditë që të përmbyllen, (14 maji), dy prej tre “elefantëve” të skenës politike shqiptare, e kanë të qartë misionin e tyre. Ai është mbijetesa!

Partia Socialiste dhe Edi Rama janë të vetëdijshme se nuk do ta ketë më kurrë shansin të sigurojë rreth 60 bashki, (pa Shkodrën), si dhe të dominojë plotësisht pushtetin lokal si gjatë kësaj periudhe të artë dhe fatlume, ndërsa koalicioni, Berisha-Metaj, (Bashkë Fitojmë) – një i ngjashëm- bojkotoi zgjedhjet katër vjet më parë – është para një testi të fortë, sa zgjedhor aq politik dhe aq personal, për të dy udhëheqësit.

Me financa të reduktuara në krahasim me lobimin e fuqishëm të oligarkëve miliarderë që mbështesin Edi Ramën, “Rithemelimi” i Sali Berishës dhe ish-LSI-ja e Ilir Metajt, kanë pak letra të mira për të bërë blofin e madh në “pokerin politik”. Por jo vetëm kaq.

Që të dy, kanë njëkohësisht shumë fatura të së kaluarës për të paguar. Kanë qenë herë bashkë dhe herë përballë disa herë në krye të vendit dhe bilanci i Shqipërisë që kanë lënë pas, nuk është ndonjë gjë për tu mburrur. Gjithashtu që të dy kanë fatura për të paguar edhe nëpërmjet disa proceseve penale në SPAK, ku përfshihen direkt, nëpërmjet bashkëpunëtorëve apo familjarëve të tyre.

Në këtë situatë, entuziazmi tradicional i Sali Berishës dhe karizma e konsumuar e Ilir Metës, duket se janë të pamjaftueshme për të frymëzuar “elektoratin gri”, një votues i ftohtë e shumicë e madhe, i cili vendos jo pak në fatin e zgjedhjeve, tej fjalimeve në takime me militantët dhe fansat e tyre, apo daljet e shumta televizive dhe mesazheve përmes rrjeteve sociale.

“Elektorati gri” e njeh shumë mirë të kaluarën politike të ish-kryetarit të PD-së dhe ish-kryetarit të LSI-së dhe është aq inteligjent sa të mos mashtrohet lehtë, për të votuar një eksperiment të kryer disa herë në këto 32 vite tranzicion.

Të dy kanë qenë funksionarët më të lartë të shtetit – kryeministra dhe presidentë të vendit – dominues të spektrit të djathtë, (SB), si dhe pas kompromiseve, (IM), herë në koalicion me PD dhe herë me PS. Të dy së bashku me Edi Ramën janë përgjegjës direkt, për situatën problematike që po kalon një nga vendet më të varfra në Europë dhe me statistika të frikshme shpopullimi.

Tkurrja demografike e Shqipërisë nuk mund t’i faturohet vetëm 10-vjeçarit në pushtet të Edi Ramës, ajo është një proces 32 vjeçarë i krijuar nga korrupsioni i klasës politike udhëheqëse, pavarësisht ngjyrave.

Nga ana tjetër, vendosja e figurave simpatike për votuesit dhe militantët demokratë & liristë, si Belind Këllici në Tiranë apo Luciano Boçi në Elbasan, mund të ngrohë shtresat qytetare dhe intelektuale, por rivalët e tyre nga Partia Socialiste, përkatësisht Erion Veliaj dhe Gledian Llatja, kanë kohë që në vazhdimësi, çdo aktivitet të tyre me paratë e taksapaguesve e kanë vendosur në funksionon të fushatës zgjedhore, ndryshe nga fjalimet rutinë të Këlliçit dhe Boçit më herët në parlament.

Ndërsa fushata zgjedhore po hyn në spiralen e përballjeve të dy blloqeve, Partia Demokratike që kryesohet nga deputeti Enkelejd Alibeaj, duket se në “letra” ka më pak shanse që të bëjë surpriza të mëdha, pavarësisht se kandidati i saj në Tiranë, Roland Bejko, është një emër i respektuar për të kaluarën e tij politike, ka ngritur frymën anti-estabilishment, (Elefantët Rama-Berisha-Metaj), si dhe gëzon në përgjithësi dashamirësinë e medias.

Pikërisht shtresa e madhe gri e cila është kundër tranzicionit me protagonistë Berishën, Ramën dhe Metajt, mund të jetë oazi i vërtetë i Bejkos, për të bërë surprizën e madhe me një rezultat që kundërshtarët duket se nuk po e llogarisin.

Partitë e tjera më të vogla e ndjejnë më pak presionin: Arlind Qori, (Partia “Lëvizja Bashkë”); Marko Dajti (Partia “Fronti i Majtë”) dhe Lajla Përnaska (“Drejtësi Integrim dhe Unitet”), të cilët kandidojnë në Bashkinë Tiranës, e kanë të qartë peshën dhe misionin e tyre modest në këto zgjedhje.

Tirana mbetet epiqendra që mund të shkaktojë “tërmetin zgjedhor” nëse fiton koalicioni Berisha-Metaj, apo të amortizojë çdo tentative përmbysje edhe për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, nëse fiton Erion Veliaj mandatit e tretë.

Por këto zgjedhje – edhe pse vendore – mbi të gjitha do të tregojnë, nëse Berisha dhe Metaj, e kanë ende fuqinë dhe mbështetjen për të mbijetuar në politikë edhe më tej. Përveç faturave të së kaluarës, duket se kanë përballë edhe SHBA dhe perëndimin.

Gjithsesi për ta 14 maji është shansi i fundit. Pastaj vjen “pensioni”, ose…!

Latest articles

Related articles