Intervista e fundit e ambasadores Kim si përherë ishte e kuruar mjaft mirë për të dhënë një mesazh të qartë politik jo vetëm për opozitën dhe rrugëtimin e saj por edhe për qeverinë dhe prapësitë e saj. Në vëmendje natyrisht ishin zgjedhjet e 14 majit 2023 që do të flasin shumë jo vetëm për cilësinë e zgjedhjeve por edhe cilësinë e opozitës që presin shqiptarët.
Megjithëse një numër sondazhesh flasin qartë për një distancim të qytetarëve ndaj dyshes Berisha-Metaj prapë se prapë një numër i madh mendojnë se ato janë shpresa e vetme përballë Edi Ramës. surrogatët e Sali Berishës në media kanë nisur të flasin deri duke mbrojtur Milo Gjukanoviç vetëm e vetëm për të relativizuar betejën e SHBA kundër korrupsionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Fyerjet raciste dhe imorale të Sali Berishës dhe heshtja vrasëse e surrogateve të tij ndërsa dëgjojnë “shpresën” e Shqipërisë që sulmon ambasadoren Kim janë një tjetër dëshmi e degradimit të trishtë që ka pësuar mediumi jonë publik. Po si ka mundësi pra që fjalitë që kutërbojnë era kërmë dhe mbushin me mashtrime qytetarët kalojnë pa u kritikuar nga njerëzit dhe surrogatët mediatike të Berishës dhe Metës? Madje jo rrallë herë njerëz të tillë kanë mbështetur pohimet e Berishës në deklaratat, intervistat e tyre? Si mundet që këta njerëz të zgjedhin Berishën që e kanë sulmuar dikur për këtë gjuhë të ndyrë?
Aleanca e medias, opinionistëve, antiberishistëve me Sali Berishën në parimin “ai ka shumicën e demokratëve” apo “ai ka fuqinë” na kujton kryeveprën e dramaturgut zviceran Max Frisch që në 1953 vuri në jetë dramën BIedermann dhe Piromanët. Fabula e dramës flet për një biznes të respektuar dhe të nderuar që një ditë fton në punishten e tij dy piromanë. Këta të fundit siç edhe pritej i vunë zjarrin shtëpisë duke e kthyer në shkrumb dhe hi.
Drama e Frisch erdhi pak pasi pasojat e nazizmit kishin filluar të reflektoheshin thellë në shoqëritë post-naziste apo fashiste. Ajo kërkonte që të iluminonte njerëzit se nuk mund të bësh ujdi dhe as pazare me njerëz që janë të gatshëm t’i vënë flakën shtëpisë për hallet e tyre apo qëllimet e tyre politike. Sali Berisha dhe aleanca e tij me ato që mendojnë se do të marrin qyl partinë e tij pasi ai të mos jetë më, ngjason njësoj si fabula e Frisch.
Të njëjtën gjë edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri e artikuloi mjaft mirë duke e etiketuar Berishën dhe të tijtë si piromanët e PD-së që shkuan ta marrin me vare atë në 8 janarin 2022 ndërkohë që i vunë flakën demokracisë në forma të ndryshme. Prandaj aleanca me Berishën edhe i atyre që deri dje kanë shkruar kundër tij është sa e sa herë më e pamoralshme dhe pavirtytshme në raport me ardhmërinë e Shqipërisë dhe padyshim të djathtës shqiptare.
Nuk mundet dhe nuk ka asnjë shans që Sali Berisha të jetë e ardhmja apo të përcaktojë ardhmërinë e Partisë Demokratike dhe kjo jo vetëm sepse ai humbi legjitimitetin me gjyqin e 3 marsit. Por, mbi të gjitha, pasi ai ka dështuar të na tregojë se nuk është një zjarrvënës që do të bëjë shkrumb e hi partinë e shqiptarëve për të shpëtuar shtëpinë e ngritur mbi tragjeditë e 2007 dhe 2011.
Prandaj, shqiptarët duhet të votojnë Partinë Demokratike dhe jo njerëz që mendojnë se duke bashkëjetuar me Sali Berishën do të mund të shpëtojnë të djathtën. Në fakt plani i tyre është për të djegur PD-në dhe më tej Shqipërinë. Fatmirësisht për ne, kjo është literalisht e pamundur.