Sistemi presidencial i qeverisjes do t’i shërbente më mirë Italisë, tha kryeministrja e vendit, Giorgia Meloni.
“Jemi plotësisht të bindur se demokracia e Italisë mund të bëhet edhe më e fortë dhe më solide përmes një sistemi presidencial”, tha Meloni në një fjalim me video në edicionin e dytë të Samitit për Demokraci, organizuar nga presidenti i SHBA-së Joe Biden.
“Është një reformë që unë e konsideroj themelore dhe që mund të përfaqësojë gjithashtu një masë të fuqishme të zhvillimit ekonomik”, tha ajo.
Duke nënvizuar marrëdhënien e ndërlidhur midis zhvillimit ekonomik dhe demokracisë, Meloni tha: “Sa më intensive të jetë rritja, aq më shumë arrihet një nivel adekuat i zhvillimit social dhe ekonomik dhe më shumë gjasa që një popullatë të zgjedhë rrugën e demokracisë”.
Po ashtu, ajo tha se demokracia jep rritje ekonomike dhe prosperitet të përbashkët.