Refuzimi me “plaç” i ftesës së PD-së – ANALIZË nga Preç Zogaj

Preç Zogaj

Numërimi mbrapsht për regjistrimin e kandidatëve për kryetarë bashkish po shkon drejt fundit pa asnjë shenjë hapjeje, pa asnjë kundërpropozim a diçka të ngjashme nga ana e grupit të Rithemelimit ndaj propozimit të PD-së zyrtare për daljen me kandidatë të përbashkët.

Në të kundërtën, Berisha nuk ka reshtur së sulmuari si të shitur te Rama autorin kryesor të propozimit, Enkelejd Alibeajt dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. E gjithë kjo të kujton shprehjen e njohur popullore kur i thua tjetrit shëndet dhe ai ta kthen “plaç”.

Në fakt, refuzimi me “plaç” i propozimit për bashkëpunim shërben në analizë të fundit qëndrimin e palëve në llogoret respektive. Kjo po që shkon qartazi në favor të kandidatëve të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës. Faji apo përgjegjësia pas kësaj nuk janë më çështje të retorikës. Flasin aktet. Propozimi për të dalë me kandidatë unikë është një fakt publik.

Mbajtja gjatë në fuqi e këtij propozimi, prej të cilit PD dhe Alibeaj nuk kanë hequr dorë as sot me sa jam në dijeni, përgenjështron paragjykimet se është bërë sa për të larë gojën apo me hile! Vetë propozimi evidenton përgjegjësinë politike të Alibeajt me shokë, një qëndrim mendje-hapur ndaj logos, që nuk mund të jetë një qëndrim posesiv, kurajon për të sfiduar në funksion të një gare fituese qasjet e ngurta dhe sektare ndaj palës tjetër, që në fund të fundit, ka një problem të hapur me SHBA-në dhe Perëndimin. Që PD-ja zyrtare nuk e ka.

Në zbatimin praktik, ky propozim presupozonte dhe presupozon, logjikshëm do të thosha, që kandidatët e primareve dhe disa kandidatë me potencial fitues të PD-së zyrtare, të garojnë nën siglën e PD-së dhe të votohen si kandidatë unikë nga gjithë spektri opozitar. Të gjithë kandidatët e primareve kanë dalë nga votat e demokratëve që mbështesin Rithemelimin dhe Berishën. Ata nuk kanë patur asnjë pengim të shkojnë me Rithemelimin si deputetë dhe si të zgjedhur në strukturat e PD-së. Ata do të vazhdonin të qëndronin me Rithemelimin edhe si fitues eventualë me vota të bashkuara. Duke ia lenë kohës fatin e problemeve që kanë krijuar ndarjen, por duke qenë ndërkohë në pushtet, në bashkitë e fituara. Në shkëmbim pala e Rithemelimit mund të mbështeste disa kandidatë me potencial fitues të PD-së zyrtare që kanë kandiduar para shumë kohësh ose së fundi dhe kanë qenë të përzgjedhur në primaret e vitit 2021. Shartimi i produktit të dy primareve, duke marrë si kampion në ndarjen numerike të bashkive rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, fjala vjen, do të ishte dhe është një zgjidhje e drejtë dhe e dobishme edhe për faktin se në mjaft bashki përqindja e pjesëmarrjes së demokratëve në primaret e Berishës ka qenë relativisht e ulët. Veç kësaj, Rithemelimi mund të ofronte një formulë për ndërtimin e stafeve në bashkitë e fituara, duke marrë në konsideratë kontributet e grupit tjetër. E njëjta gjë nga PD zyrtare në bashkitë ku do të konkurrojë kandidati i përzgjedhur prej saj.

Ku mund të ketë hile këtu? Edhe po ta ketë kush në mendje, hilja është e pamundur në zbatim. Nuk janë paranojat, por është real-politika ajo që i shtyn e duhet ti shtyjë politikanët racionalë drejt vendimeve të dobishme.

Berisha me të tijtë mund ta kenë menduar si të shtirur propozimin “Alibeaj” për bashkëpunim. Mendim të cilin e hedh poshtë logjika dhe metodologjia e zbatimit të propozimit.

Berisha me të tijtë mund të kenë patur problem kualicionin e paravendosur me Polin e Lirisë të Ilir Metës. Paketa e PD-së, ku propozohej një bashkim i opozitës plurale rreth një kandidati unik, i jepte përgjigje pozitive edhe kësaj çështjeje.

Sidoqoftë, Rithemelimi mund të shtronte propozimet e veta për çdo pikë. Edhe për ketë të koalicioneve, pa qenë i kushtëzuar nga grupi i PD-së.

Shumë njerëz, demokratë shumica besoj, pyesin: Pse e refuzon Berisha me zemërim, me sulme, e me “ plaç”, për të dytën a të tretën herë, dorën e zgjatur për bashkëpunim nga pala që tani është PD-ja zyrtare?

Përgjigja shteruese mbetet për t’u studiuar më thellë. Arsyet ngjajnë të jenë të lloj-llojshme, politike dhe emocionale. Në thelb, Berisha ka treguar se i konsideron zgjedhjet e 14 marsit si zgjedhje politike brenda llojit, brenda PD-së. Këtu merr jetë gjithë qasja e tij për to. Ai kërkon të shtyjë sa të jetë e mundur vijën e ndarjes me grupin e PD-së zyrtare. Ai kërkon të matet në shkallë kombëtare me këtë grup, ta shohë sa më të vogël për të marrë ai ekskluzivitetin e opozitarimit, që do të nënkuptonte vetvetiu shuarjen e fluksit euro-atlantist të PD-së zyrtare, përfaqësuesit dhe anëtarët e së cilës mendojnë se jo vetëm nuk fitohet, por edhe nuk duhet fituar me SHBA dhe Perëndimin kundër apo dyer-mbyllur. Të fitojë bashki apo jo, kjo është një çështje sekondare kësaj radhe për zotin Berisha.

Siç e kemi parë dhe e shohim vazhdimisht, çdo demokrat i akuzuar si “i shitur” sapo të japë sinjale se e pranon Berishën për kryetar nuk është më i shitur, por mik, luftëtar e tjerë e tjerë. Këtu del në pah koncepti që ai ka për bashkimin e PD-së vetëm nën ombrellën e lidershipit të tij. Kjo provë është bërë, palët janë ndarë, kanë zënë vend. Me fare pak përjashtime, nuk ndryshojnë më. Në parantezë, alternativa opozitare nuk ka gjasa të bëhet fituese edhe sikur pjesa e PD-së zyrtare të asimilohej nga Rithemelimi dhe Berisha. Fitorja mund të vijë vetëm nga rritja e PD-së zyrtare, (e cila i ka potencialet të bëjë për vete pjesë të elektoratit gri që në këtë moment është shumë i madh) si dhe nga ndërtimi i një aleance elektorale si subjekte më vete i atyre që sot janë dy pjesë.

Jo lufta brenda llojit për shkatërrimin e tjetrës, por gjetja e rrugëve të bashkëpunimit dhe një rivalitet normal dhe etik largpamës mund ta rrisin opozitën plurale. Në të kundërtën, referimi vetëm i egos personale të njërit dhe tjetrit rrezikon një fund grotesk si në një episod të novelës së Kadaresë “Viti i mbrapshtë” ku dy çeta bajraktarësh përfundojnë duke u ndeshur në një luginë të humbur prej nga nuk dalin më.

Latest articles

Related articles