Ditën e djeshme në seancën plenare, Sali Berisha kërkoi fjalën ndonëse seanca nuk kishte asnjëfarë kuptimi dhe ndërhyrjet e tij nuk provokuan asnjë debat. Pjesa më e madhe e fjalës së tij në kuvend ishte drejtuar për të shfajësuar veten dhe lidhjet e tij me Arben Ahmetajn.
Reagimi i Berishës është ai i një njeriu i kapur në faj pasi po këmbëngulte të mbronte pasurinë e Ahmetaj dhe bastisjen në vilën e bashkëjetueses së tij, si dhe një shtëpi të ish bashkërshortes. Frika e Berishës, njësoj si e Metës që përflitet për një ortakëri politike me Ahmetaj, ka të bëjë me angazhimin e SPAK për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Mënyra se si SPAK po operon për të vendosur para drejtësisë Arben Ahmetajn është një test i vërtetë se si do të operojë SPAK për të çmontuar të korruptuarit dhe kriminelët në këtë vend. Berisha e ka nuhatur këtë “përçudnim” që i kanë bërë Ahmetaj dhe po i bën SPAK, prandaj ka frikën që në vijim sjellja e SPAK ndaj tij do të jetë edhe më e pashpirtë dhe zbatimi i ligjit do jetë edhe më korrekt.
Janë minimalisht dy persona në familjen e Berishës që po hetohen për çështje që janë të rënda dhe që kanë shënjuar jo pak historinë e post-diktaturës shqiptare. Ndërkohë që Ilir Metaj ka në Prokurorinë e SPAK mbi 3 çështje që lidhen me pasurinë e tij dhe jo vetëm. Këto probleme të mëdha për të cilat SPAK ka nisur hetimet janë dhe provat që Sali Berisha dhe Ilir Metaj i kërkojnë Departamentit Amerikan të Shtetit për t’ua treguar shqiptarëve.
Këto të fundit kanë vendosur që t’i japin atyre provat përmes institucionit të SPAK, pra përmes një procesi penal që rrezikon t’i burgosë (potencialisht) ato dhe të afërmit e tyre. Shqiptarët për 3 dekada janë keqtrajtuar nga një grup hajdutësh që herë kanë qenë me fanellën e PS, herë me të PD dhe here me të LSI. Tanimë, ata po shohin se si milionat e tyre janë fshehur në vilat ultra luksoze të fshatrave turistikë, ndërsa hajdutët me kostum politik nuk kanë fshehur vjedhjen e tyre.
Diferenca në këtë mes është se SHBA po përdor sundimin e ligjit për të evidentuar të korruptuarit dhe hajdutët. Revolucioni i vërtetë paqësor që dëgjojmë nga goja e Berishës është pikërisht ky që po bën SPAK. Ndaj hetimi për Ahmetaj është këmbana për Berishën dhe Metën. Kur ata të dy do jenë brenda, atëherë do të dëgjojmë se si Rama do të duhet të flasë me shqetësim, pasi ai i pari do e ketë kuptuar leksionin që po marrin dy dinozaurët e trekëndëshit të Bermudës.