“Beethovenin e la e dashura se nuk kishte para”

Sebastian Zonja

Kompozitori gjenial Ludwig van Beethoven vdiq në Vjenë, rreth 200 vjet më parë. Ai ka lënë pas disa prej veprave më të arrira dhe më me ndikim në muzikën klasike. Në të tridhjetat, ai deklaroi se kishte vështirësi të kuptonte fjalët e një personi që fliste me zë të ulët. Përveç kësaj, për të dëgjuar aktorët në teatër, ai u detyrua të qëndronte pranë orkestrës. Sidoqoftë, shurdhimi në rritje, e çoi atë në një gjendje trishtimi të thellë dhe në vitin 1802 në një përpjekje për vetëvrasje. Për shkak të problemeve të dëgjimit, Beethoveni u izolua në mënyrë të vazhdueshme nga njerëzit përreth tij, duke rrezikuar shumë marrëdhënie shoqërore dhe emocionale. Në 1819-ën, tetë vjet para vdekjes, ai ishte plotësisht i shurdhër. Pavarësisht kësaj, Beethoveni vazhdoi të kompozonte. “Simfonia e Nëntë” u kompozua në vitin 1824.
Biografët kanë kërkuar që në krye të herës të shpjegojnë shkaqet e vdekjes së tij. Kompozitori gjerman u nda nga jeta në moshën 56-vjeçare.
Së fundmi, një ekip ndërkombëtar studiuesish që morën në shqyrtim gjenomin e Beethovenit, duke përdorur një tufë të vogël flokësh që thuhet se janë të tijat, kanë nxjerrë përfundim shkencor për shkakun e ndarjes nga jeta.
Sipas tyre, ciroza e mëlçisë është shkaku më i mundshëm i vdekjes së Beethovenit. Kjo sëmundje e rëndë që çoi në dështimin e plotë të mëlçisë, është shkaktuar nga një sërë faktorësh, por qëndrori është konsumimi i tepërt i alkoolit.
“Shqyrtuam shkaqet e mundshme gjenetike të tre simptomave kryesore të tij – humbjen progresive të dëgjimit, simptomat gastrointestinale dhe sëmundjen e mëlçisë – dhe, përfundimisht, ramë dakord se këto arsye çuan në vdekjen e tij, me faktor qëndror dështimin e mëlçisë,” tha Markus Nothen, nga Instituti i Gjenetikës në Spitalin Universitar të Bonit.
Një e dhënë tjetër interesante ështe se pas studimit të të dhënave të ADN-së doli se Bethoveni ishte fëmijë i jashtëligjshëm. Në gjuhën shkencore, studiuesit thanë se gjetën një “ngjarje atësie jashtë çiftit”, e thënë më thjeshtë, Bethoveni është fëmijë që ka ardhur në jetë nga marrëdhënia jashtëmartesore e mamasë së tij.
Karakteri i keq, me gjasë, e shtyu aq shumë pas pijes.
Bethoveeni ka qenë fëmijë dhe burrë i shëmtuar. Në rini e quanin der Spagnol (spanjolli) për shkak të ngjyrës së fytyrës. Ishte i shkurtër, diku tek një metër e gjashtëdhjetë centimetër, me kokë të madhe dhe flokë të çuditshëm, dhëmbë të dalë, hundë të vogël të rrumbullakosur dhe pështynte kudo. Ishte i ngathët në lëvizje dhe aq i hutuar sa vazhdimisht thyente objektet që prekte. Nuk mësoi kurrë të kërcejë, ndërsa pritej gjithmonë kur rruhej. Tip i zymtë, pa humor, dhe tejet dyshues. Mizantrop dhe i bindur se të gjithë donin vetëm ta mashtronin. Kishte zemërime të pakuptimta dhe jo vetëm se mbeti beqar, por jetoi edhe pa shërbëtor, sepse askush nuk ishte i gatshëm të toleronte nervozizmin dhe huqet e tij.
Ndërkohë, pas vdekjes së tij, në Vjenë, më 26 mars të vitit 1827, shoku i tij, Anton Schindler, gjeti në një sirtar të fshehtë të tryezës së punës dy letra ku kompozitori rrëfente dëshpërimin për shurdhimin e tij dhe një ku shkruante për dashurinë e fshehtë për një grua të paspecifikuar, por që ai e cilëson “dashuria ime e pavdekshme”.
Miku i tij thoshte se, me shumë mundësi, ajo ishte Giulietta Guicciardi, nxënëse e Beethovenit. Besohet gjerësisht se sonata e famshme “Nën dritën e hënës” i kushtohet Guicciardit. Për shkak se Bethoveeni ishte gjeni, por nuk kishte para, Giulietta ishte martuar me kontin Robert von Gallenberg.
Sot, Xhulin e njohin sepse e ka dashuruar Beethoveni, jo për ndonjë gjë tjetër. Sikur të ishte martuar me të, do kishte hyrë në histori edhe ajo, jo si dashuria e pamundur e tij, por si muza e tij gjithë jetën.
Nejse, ajo zgjodhi paránë përpara përjetësisë.
Fjalët e fundit të gjeniut të muzikës ishin “Duartrokisni, miqtë e mi! Komedisë i erdhi fundi”.

Latest articles

Related articles