Paralele vrasjesh të Hitlerit, Stalinit dhe Enver Hoxhës

Nga Dashnor Kokonozi, Francë

Më se 30 vjet më parë, për një nga numrat e parë të Rilindjes demokratike përktheva një artikull të gjatë të Erik Fromit nxjerrë nga një libër që sapo kisha blerë në Itali (Anatomia della distruttività umana), një libër i jashtëzakonshëm i shkruar nga një psikanalist marksist i zakonshëm. (E desha atë liber edhe pse kushtonte ekuivalentin e 50 dollarve, por e keqja nuk më del as sot:-))
Nga dy artikuj që trajtonin sjellen e diktatorëve me viktimat e tyre, Hitlerit dhe Stalinit, botova atë që i kushtohesh këtij të dytit. Detyrim i aktualitetit. Kishte që dëgjonin për herë të parë të flitej për krimet e Stalinit.
Kujtoj se aty mësova se sjellja e Stalinit ndaj viktimave të tij ishte jashtëzakonisht e çuditshëme. Ai ishte mjaft i përzemërt me ta. Shpesh një natë më parë i ftonte edhe në shtëpinë e tij të hanin supë (kasha), të cilën e kishte zakon t’ua ndante vetë me garuzhde të ftuarve.
Në çastin e ndarjes pas ndonjë mbledhjeje me ata që kishte planifikuar të vriste, nuk mungonte t’u thoshte fjalë të mira apo t’i uronte për gjësendi.
Të nesërmen ata nuk jetonin më. Nëse jetonin, kjo qe fatkeqësi edhe më e madhe. Ata do të ishin nën tortura të tmerrshme të urdhëruara nga ai vetë.
M’u kujtua një gjë e tillë këto ditë, kur po lexoja diçka për gazetarin e juristin Zyhdi Herri, i cili me E. Hoxhën mund të jetë njohur mbase që nga Liceu i Korçës.
Në kujtimet e familjarëve të tij thuhet se pak ditë para arrestimit ai kishte hyrë në shtëpi mjaft i gëzuar sepse kishte takuar Enver Hoxhën, i cili i kishte thënë se i lexonte të gjitha shkrimet e tij (Herri shkruante për gazetën Bashkimi) dhe i pëlqenin shumë.
Në ditët që do të vijonin, ai do të vritej pa gjyq…
Kam rreshtuar në shënimet e mija mjaft paralele të tilla.
Një tjetër është ajo kur pak para arrestimit e vënies nën tortura, Kadri Hazbiu mori një kartolinë urimi për ditëlindjen nga… Enver Hoxha.
Dua të kthehem te rasti i Herrit.
Eshtë viti 1951 kur ai përgëzohet dhe pushkatohet nga Hoxha dhe unë me sa di ende nuk kishin dalë dokumente mbi të vërtetat e viktimave të Stalinit, që flisnin për mekanizmin satanik e pervers të vrasjeve të tij. Kujtimet e Trockit dhe veçanërisht libri i tij “Stalin”, 1946, nuk besoj që Hoxha ta kishte lexuar.
Atëherë si shpjegohet që të dy bëjnë një lojë të tillë kaq mizore me viktimat e tyre?

Latest articles

Related articles