Nesër nis muaji i Ramazanit, Kryetari i KMSH uron besimtarët: Agjërim të lehtë


Kryetari i Komitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka uruar me anë të një video-mesazhi të gjithë besimtarët mysliman për nisjen e muajit Ramazan.

Ai i ka uruar besimtarëve agjërim të lehtë e të pranuar, shëndet të mirë si dhe lumturi për ta dhe familjet e tyre. Po ashtu kreu i KMSH i ka ftuar besimtarët që të tregohen më solidar me njëri-tjetrin dhe të ndihmojnë sa më shumë ata që janë në nevojë.

“Nesër është dita e parë e muajit të bekuar të Ramazanit. Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit ju përcjell urimet më të sinqerta që ky Ramazan të jetë muaji i faljes, muaji i begatisë, muaji i mirëkuptimit të ndërsjellët me njëri-tjetrin, muaji i ngritjes morale dhe shpirtërore, për përballimin me sukses të çdo vështirësie që kemi.

Gjatë Ramazanit ju ftojmë të jeni më solidar me familjet në nevojë, t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit në punë të mira. Të nderuar besimtarë çdo gjë gjatë këtij muaji ka vlerë shumëfish më të madhe, prandaj njerëzit përmes sakrificave të shumanshme personale synojnë të lartësohen shpirtërisht dhe të afrohen më shumë, me krijuesin e gjithësisë.

Ky muaj është muaj i veprave të bamirësisë që impoaktojnë në të gjithë shoqërinë, të lëmë anash mospajtimet, mëritë dhe egoizmin. Të synojmë të arrijmë vetëm kënaqësinë e zotit dhe harmoninë me njerëzit. Duke ju uruar muajin e Ramazanit, më lejoni t’ju dëshiroj një agjërim të lehtë, pranim të lutjeve tuaja, shëndet të mirë, lumturi dhe prosperitet për ju dhe për familjet tuaja”,-tha Kryetari i Komitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu në video-mesazhin e tij.

Latest articles

Related articles