Ministria e Shëndetësisë së Bullgarisë njoftoi se për shkak të mungesës së kërkesës, është shtuar numri i vaksinave kundër COVID-19 në depot e vendit dhe se asgjësimi i vaksinave të skaduara është i pashmangshëm.
Ministri i Shëndetësisë, Asen Medzhidiev tha se nuk ka interes për vaksinim. “Ne jemi në prag të asgjësimit të 2.8 milionë vaksinave që janë pranë skadimit”, deklaroi Medzhidiev.
Ai tha se për shkak të interesimit të ulët të qytetarëve për vaksinimin, ata mbyllën repartet e vaksinimit në spitalet kryesore në vend, të cilat pothuajse askush nuk i viziton më.
Medzhidiev shtoi më tej se pas asgjësimit të 2 milionë dozave të vaksinës, afati i së cilave kishte skaduar vitin e kaluar, këtë vit do të skadojë edhe afati për 2.8 milionë doza.
Ministria e Shëndetësisë tha se vendi duhet të importojë 8 milionë vaksina të tjera deri në fund të këtij viti, në varësi të politikës së koordinuar të Bashkimit Evropian (BE) në luftën kundër COVID-19.
Një pjesë e këtij importi të kontraktuar është paguar paraprakisht. Medzhidiev tha se importi i këtyre vaksinave është “shpenzim i panevojshëm”.
Bullgaria është ndër vendet me shkallën më të ulët të vaksinimit kundër COVID-19 në BE. Si pasojë e infeksionit me koronavirus në vend kanë humbur jetën rreth 39 mijë persona.