Ndërkohë që prokuroria ka përfunduar hetimet duke dërguar për gjykim për shpërdorim detyre ish-policin Jeton Lami, gjykata e lartë ka zbardhur vendimin që e la truprojën e Ervis Martinaj në burg.
Megjithëse pretendonte se izolimi në qeli mund t’i rrezikonte jetën për shkak të profesionit, gjykata e lartë rrëzoi me 7 shkurt rekursin e paraqitur nga ndihmës/specialisti në sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale për Hetimin dhe Kërkimin.
Në dosjen hetimore rezulton se është pyetur edhe një 22-vjeçare që ka qenë një nga kontaktet e fundit të Martinaj para zhdukjes.
– Advertisement –
Më 5 gusht të vitit të kaluar, Jeton Lami drejtonte një automjet Audi-A8 me targa të huaja dhe ka shoqëruar të shumëkërkuarin nga Tirana në drejtim të një hoteli në Durrës.
Sipas deklarimeve, para zhdukjes Ervis Martinaj përdorte për të komunikuar aplikacionin Telegram, por ishte përdorues edhe i profilit ‘King Simba’ në rrjetin social Instagram, me foto profili luanin e tij.
Pak javë më parë me kërkesë të SPAK, u sekuestruan 34 pasuri të Martinajt dhe familjarëve të tij me dyshime se janë të ngritura nga aktiviteti kriminal ndërsa autoritetet ende nuk e kanë një përgjigje zyrtare mbi fatin e tij.