KUVENDI
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike
Nr. ______ Prot. Tiranë, më ____.____.2022
Lënda: Propozohet për shqyrtim dhe miratim një amendament.
Drejtuar: Znj. Klotilda BUSHKA
Kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
Këtu
Znj. Kryetare,
Në mbështetje të nenit 71 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, propozoj që në projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr. 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë””, të bëhet amendamenti si vijon:
Në nenin 1, pas gërma “gj” dhe “h”, shtohet gërma “i”, me përmbajtje si më poshtë vijon:
i) Muzeu Kombëtar “Burgu i Burrelit”;
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.
D E P U T E T E
Dhurata ÇUPI
R E L A C I O N
PËR AMENDAMENTIN E PROPOZUAR
NË PROJEKTLIGJIN “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 27/2018 “PËR TRASHËGIMINË KULTURORE DHE MUZETË”
Duke ri-konfirmuar mbështetjen e plotë të projektligjit për shpalljen muze kombëtar të kampit të punës së detyruar të të burgosurve në Spaç dhe kampit të internimit tela me gjemba në Tepelenë, nëpërmjet këtij amendamenti synohet që listës së muzeve kombëtarë t’i shtohet edhe burgu i Burrelit, i cili për 44 vite ka shërbyer si burg politik i regjimit komunist.
Sipas të dhënave historike, burgu i Burrelit nisi ndërtimin nga fundi i vitit 1938. Fillimisht, u përdor si depo grumbullimi kryesisht nga administrate e luftës. Ndërkohë, nga viti 1946 e në vijim është përdorur për burgosjen e dënuarve politikë, që regjimi komunist i konsideronte si kundërshtarët më të rrezikshëm të tij. Ky burg njihej për kushtet e vështira dhe egërsinë me të cilën sillej administrate ndaj të burgosurve. Madje, një nga motot e të burgosurve lidhur me këtë burg ishte “Këtu i thonë Burrel, hyn dhe nuk del”.
Në burgun e Burrelit vuante dënimin elita e kohës. Kushtet ishin shumë të vështira dhe qindra të burgosur kanë humbur jetën, përfshirë edhe ish-kryeministrin Koco Kotta, ish-ministrat Gjergj Kokoshi dhe Xhevat Korca, gjeneralët Abaz Fejzo, Gjin Marku dhe Vaskë Gjini. Mes të burgosurve të këtij burgu, ishin klerikë të lartë si Visarion Xhuvani dhe Hafiz Ali Kraja, intelektualë si Mark Ndoja, Gjon Shllaku, Pjetër Arbnori, Fatos Lubonja dhe Sherif Merdani. Sipas të dhënave arkivore, numri mesatar i të burgosurve në këtë burg varion ndërmjet 150 – 190 të burgosur. Në Dhjetor 1990 në këtë burg vuanin dënimin 198 të burgosur.
Pikërisht për shkak të historisë së këtij burgu, një dëshmi e gjallë e kalvarit të vuajtjeve të të dënuarve politikë, vlerësojmë se ai duhet shpallur muze kombëtar. Duke e mirëkuptuar që aktualisht një pjesë e këtij burgu vazhdon të shërbejë si institucion i ekzekutimit të vendimeve penale, shpallja muze kombëtar duhet të përfshijë vetëm ato pjesë të godinave dhe territorit që sot nuk janë funksionale.
Ngritja e këtij muzeu i shërben jo vetëm kujtesës historike për brezat e tashëm e të ardhshëm, por edhe nderimit të sakrificave e kujtimit të atyre qindra të burgosurve që kaluan vuajtjet më të tmerrshme, vetëm sepse kishin zgjedhur të mos nënshtroheshin, duke iu qëndruar besnik bindjeve të tyre deri në fund.
D E P U T E T E
Dhurata ÇUPI