“Nuk e pengojmë drejtësinë”- kështu u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, kur u pyet nëse ka luftë të brendshme mes Arben Ahmetajt, Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Në një deklaratë për mediat, Balla tha se në lidhje me çështjen e Ahmetajt kanë votuar për një raport që të ketë komision hetimor.
Ndër të tjera ai nuk la pa përmendjen çështjen e CEZ/ DIA, për të cilën u thirr në SPAK pak ditë më parë Meta dhe çështjen e Gërdecit.
“Çfarë s’kam dëgjuar. PS ka votuar një raport dhe ai qëndrim është qëndrimi ynë për këtë çështje. E vërteta është që PS-ja vazhdon t’i mbetet qëndrimit se jemi një republikë parlamentare, drejtësia bën punën e vet, Kuvendi bën punë ne vet dhe secili duhet të vazhdojë punën. Ne nuk jemi nga ata që pengon punën e drejtësisë. Ky ka qenë një nga rastet e pakta që ka pasur një raport të komisionit hetimor dhe është votuar.
Kemi dhe një raport tjetër, për privatizimin e OSSH-së, ku shqiptarët humbën 418 mln euro. Unë e mbështes SPAK për hetimin, shqiptarët duan që të gjithë këto dosje, si Gërdeçi, 21 Janari, CEZ/DIA të hetohen me paanshmëri dhe të vendoset drejtësi”- theksoi Balla.