Numri i aplikimeve për azil nga shtetasit shqiptarë në Europë dhe Mbretërinë e Bashkuar është rritur ndjeshëm në vitin 2022, duke shënuar nivelet më të larta që nga viti 2015.
Sipas të dhënave zyrtare të Zyrës Europiane të Azilantëve (EUAA), që raporton aplikimet për azil për 27 shtetet e Bashkimit Europian, aplikimet totale për azil në këto 27 vende ishin 13 mijë, me rritje prej 16% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Nga dhjetori i vitit 2019, EUAA raporton të dhënat për 27 shtetet e Bashkimit Europian, pa përfshirë Mbretërinë e Bashkuar (MB). Kjo e fundit i raporton të dhënat veçmas. Të dhënat zyrtare mbi emigracionin nga Qeveria e MB, të përpunuara nga “Monitor” treguan se në vitin 2022 kanë kërkuar azil në Britani 18,591 shtetas shqiptarë, duke shënuar një rekord historik.
Në total, për BE-27 dhe Mbretërinë e Bashkuar, aplikimet për azil në vitin 2022 arritën në 31.6 mijë persona, që është numri më i lartë që nga viti 2015 dhe shënon një dyfishim në krahasim me vitin 2021 (duke marrë të dy rajonet së bashku).