Cigaret elektronike dëmtojnë ADN-në

Vitet e fundit, cigaret elektronike janë prezantuar si një alternativë e shëndetshme e duhanit. Por studimet e fundit tregojnë se në terma afatgjatë, ato mund të kenë pasoja negative në shëndetin e përdoruesit.

Studiuesit e American Chemical Society, të cilët kanë analizuar efektet anësore të cigares elektronike, thonë se përdorimi i tyre për një kohë të gjatë mund të modifikojë materialin gjenetik ose ADN-në e qelizave të gojës, gjë që mund t’i shtojë mundësitë e prekjes nga kanceri.

Të hedhura në treg në vitin 2004, këto cigare janë pajisje elektronike, brenda të cilave një lëng që zakonisht përmban nikotinë, nxehet dhe avulli kalon nëpërmjet një aerosoli në gojën e përdoruesit.

Shije të ndryshme janë shtuar, në mënyrë që spektri i përdoruesve të rritet. Shije si çokollata, karamele apo variacione të frutave duket se janë krijuar për të targetuar përdorues në moshë të re.

Studiuesit theksojnë se lëndët kancerogjene që lindin nga djegia e duhanit janë shumë më tepër se ato që çlirohen nga avulli i cigareve elektronike.

Megjithatë, kampione të pështymës së 5 përdoruesve të cigares elektronike, vetëm pas 15 minutash përdorim të saj, nxorën praninë e kimikateve që njihen si dëmtuese të ADN-së.

Ndërsa për të vlerësuar dëmin në terma afatgjatë, ata përdorën të njëjtat metoda që janë përdorur për të vlerësuar dëmet te konsumatorët e alkoolit.

Te katër nga pesë përdoruesit e përfshirë në studim rezultuan të pranishme tre lloj përbërjesh kimike që dëmtojnë ADN-në.

Kur kimikatet toksike ndërveprojnë me ADN-në, ato mund të shkaktojnë dëmtimin e saj. Nëse qeliza nuk e riparon dëmin në mënyrë që të bëhet replikimi normal i ADN-së, atëherë ekziston rreziku i shfaqjes së kancerit.

Studiuesit thonë se një hulumtim më i thellë, që përfshin një numër më të madh përdoruesish, do të japë përgjigje akoma më të qarta.

“Krahasimi mes efekteve të cigares së zakonshme dhe asaj elektronike është si të krahasosh mollën me portokallin. Niveli i ekspozimit është tërësisht i ndryshëm”, thonë studiuesit.

Megjithatë, efektet anësore të asaj që është propozuar si versioni i padëmshëm i duhanit do të jenë objekt i mëtejshëm studimi.

Latest articles

Related articles