“Një ngjarje e rëndë dhe e padëgjuar në vendin tonë por dhe në lajmet ndërkombëtare.” Kështu e ka komentuar deputetja demokrate Dhurata Çupi në “Intervistë” me Merita Haklajn përmendjen e kryeministrit Edi Rama në dosjen McGonigal.
Deputetja demokrate theksoi se prej 4 vitesh opozita akuzohet për “të ashtuquajturin lobim rus,” dhe tashmë del në dritë që kryeministri i vendit takohet me ish-zyrtarë të FBI-së dhe asnjë nga palët nuk i deklaron takimet.
Sipas nënkryetares së Komisionit të Ligjeve, pas bërjes publike të dosjes, duhej të kishim pasur një reagim urgjent të SPAK-ut. Ndërsa, qëndrimin e mbajtur deri më tani nga kryeministri Rama ajo e cilësoi si një lojë fjalësh për të shpëtuar nga përgjegjësia.
“Taktika të kryeministrit. Nuk pres që Rama të thotë jam i fajshëm dhe do t’i drejtohem drejtësisë. Kemi një kryeministër që thotë që përgjegjësia është personale. Organet e drejtësisë duhet të veprojnë. Në çdo seancë plenare, në çdo deklaratë, opozitës i përmendet i ashtuquajturi lobimi rus. Ne vijmë nga një diktaturë, e dimë çdo të thotë kur ka pushtetin vetëm një parti. Të shuash opozitën në një vend demokratik është shumë e rëndë.”
Ndërsa theksoi se vetëm fakti që përmendet një këshilltar i jashtëm pa pagesë duhej t’i mjaftonte organeve të drejtësisë që të nisnin hetimet, Dhurata Çupi shtoi se nuk është e ligjshme të lobohet me para të padeklaruara për të goditur opozitarizmin.
Por, përpos mazhorancës, ish-kryedemokratin Lulzim Basha për financimin rus të fushatave elektorale e ka akuzuar edhe kreu aktual i partisë Sali Berisha. Dhe, Dhurata Çupi shprehet se fakti që PD është e përçarë ka ardhur me pasojat e veta. Sipas saj, përçarja ka bërë që te qytetarët të krijohet perceptimi se opozita nuk është e fortë.
Deputetja demokrate tregoi po ashtu se ka nisur tashmë mbledhja e firmave për shkarkimin e kryeparlamentares Lindita Nikolla pas trazirave të seancës së të enjtes.