Nga Aida Topalli
O djalë, o ju djem… përse nuk i rrini përshtat klasës shoqërore që keni?
Ti Alban, e kishe babain polic patrulle. Një profesion me plot sakrifica. Babai yt Alban, që të siguronte një jetë të qetë, zgjodhi të ishte efektiv, duke u betuar se do të ruante rendin dhe qetësinë publike. Punoi vite të tëra, 3 turne. Në diell, në shi, në vapë, në dëborë… u përball me të armatosurin, u përball me pijanecin, me të sëmurin, me viktimat, me të droguarit…
Dhe për fat të keq, pa dashje, ndoshta nuk të kushtoi dot ty kohën e duhur, sepse i tillë është ky profesion.
Nuk e bëri se donte. E bëri i detyruar nga rrethanat dhe për t’i qëndruar besnik betimit të bërë. E në fund, të merrte një rrogë ( që për fat të keq është aq minimaliste).
Dhe ti u rrite Alban, ashtu me sakrifica…
U shkollove a nuk u shkollove, pasi u rrite, kjo është një zgjedhje personale…
Të pëlqeu jeta e luksit… Ajo jetë që babai yt i ndershëm nuk ta ofroi dot… Në vend që të luftoje për ta ndërtuar një jetë të tillë vetë, duke sakrifikuar siç sakrifikoi babi yt, zgjodhe rrugën më të shkurtër. Iu bashkove një shoqërie që e luftonte babai yt me shokë.
Dhe shpërblimi i mundit të babait tënd, cili ishte?
Bëre një krim… i ule autoritetin, e le në rrugë… dhe i çove edhe hasmin në derë…
Si ti Alban, ka edhe shumë Albanë të tjerë…
Nuk ka gjë më të hidhur, Alban dhe ju Albanër të tjerë, sesa të shkelësh djersën dhe mundin e atij që të ka rritur.
Unë do të doja shumë që raste të tilla të sensibilizojnë bashkëmoshatarët e tjerë, për të mos ndjekur të njëjtën rrugë.
Ndiqni rrugë të tjera, janë të lodhshme, të mundimshme, por fundi është aq i bukur… Saqë do i gëzoni çdo pike djerse që keni derdhur.