Nga Ola Xama
Një nga kullat më të larta që do të ndërtohet në Tiranë është projekti me 65 kate i kompanisë Klar shpk. Kjo firmë ka ndërtuar dhe disa pallate të tjera në kryeqytet.
Sot rastësisht një i afërt i imi që ka rezervuar në një prej tyre, më tregoi një histori që të bën për të qeshur.
Gjatë punimeve kompania kishte përdorur ujin e apartamentit të tij, fatura kishte shkuar 300 mijë lekë të vjetra. Për muaj me radhë nuk e kishte paguar dhe klienti e mëson pas një telefonate të një punonjësi të UKT-së, i cili kërkonte likuidimin e detyrimit. Pasi sqarohet se apartamenti nuk ishte dorëzuar ende dhe fatura duhet të paguhej nga firma, UKT nuk e shqetëson më, por kompania Klar nuk kthen përgjigje dhe as paguan detyrimin.
Pasi ankesa shkon në nivelin e menaxherëve, ata pranojnë të njohin detyrimin, por kanë disa javë që shtyjnë shlyerjen sepse thonë se nuk kanë gjendje lekësh. Sot e kishin lajmëruar të kalonte për të marrë pagesën, por pasi kishte shkuar, punonjësja e firmës i kishte thënë të paraqitej një ditë tjetër sepse sërish nuk kishin para.
Pra, një nga kullat më të larta do ta ndërtojë një kompani që ka 3 javë nuk gjen dot 300 mijë lek të vjetra!!!
Në fillim të vjen për të qeshur, por pastaj e kupton se në fakt duhet të trishtohesh.
Nga do i gjejë firma paratë për të ndërtuar 65 kate? Kush e mbron konsumatorin kur afatet vonohen dhe apartamenti nuk dorëzohet se kompania nuk ka kapital? Përse jepen leje ndërtimi për shoqëri që kanë financat 0 dhe bazohen te modeli i parashitjeve ku konsumatori humb dhe sipërmarrësi pasurohet? Ku duhet të ankohet klienti kur shtëpia vonohet, faturat dhe detyrimet i ngarkohen atij dhe faturistët e kompanive UKT dhe OSHEE bashkëpunojnë me ndërtuesin dhe iu faturojnë detyrimet?



