Në ditën kur Shqipëria feston 114-vjetorin e Pavarësisë, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u zhvillua Dhoksologjia e Flamurit, një shërbesë fetare që i kushtohet kësaj dite të rëndësishme për historinë kombëtare.
Shërbesa u mbajt në nderim të Pavarësisë, si një shprehje mirënjohjeje për vendin dhe për të gjithë ata që ndër shekuj ruajtën besimin, gjuhën dhe identitetin shqiptar.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani, në fjalën e tij theksoi se vendi ynë është një dhuratë që duhet ruajtur dhe zhvilluar nga të gjithë qytetarët.
“Është një falënderim për Perëndinë që na ka dhënë një vend shumë të bukur, që i ka të gjitha gjërat, dhe detyra jonë është që këtë vend ta lulëzojmë.”
Sipas tij, dashuria për Zotin lidhet edhe me dashurinë për njerëzit dhe vendin ku kemi lindur e jemi rritur. Ai u ndal te përgjegjësia që ka secili për ta mbrojtur, ruajtur dhe çuar përpara vendin.
“Këtë vend të bukur që na ka dhënë Perëndia, ne kemi për detyrë ta mbrojmë, ta ruajmë e ta ndriçojmë. Sepse ne nuk jemi pronarët. Zotit është dheu dhe gjithçka që ndodhet në të, thotë psalmisti, gjë që do të thotë se ne jemi kujdestarët. Mund të jemi kujdestarë të mirë ose kujdestarë të këqij.”
Kryepiskopi nënvizoi se Shqipëria nuk i përket një grupi apo një personi të vetëm, por të gjithë qytetarëve të saj, ndaj secili ka përgjegjësinë të kontribuojë për të ardhmen dhe zhvillimin e vendit



