Drejtori i Tatimeve hedh poshtë akuzat e Spiropalit

spot_img
Advertisements

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, ka reaguar pas akuzave publike të Elisa Spiropalit, e cila mbrëmjen e së enjtes pretendoi se ai ishte emëruar nga Belinda Balluku dhe po ushtronte presion ndaj bizneseve të familjes së saj.

Binaj deklaron se u kthye në Shqipëri pas disa vitesh punë në SHBA, ku ishte angazhuar në fushën e auditimit financiar, me qëllim që t’i shërbente vendit.

Ai mohon të ketë pasur kontakte personale me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, përveç takimeve publike të lidhura me detyrën.

“Që nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës”, shkruan Binaj.

Kreu i Tatimeve pretendon se administrata që drejton është përballur me presion të paligjshëm nga deputetja Elisa Spiropali dhe bashkëshorti i saj, lidhur me kontrollet e kryera ndaj bizneseve të tyre familjare. Sipas Binajt, sulmi publik i mbrëmjes së kaluar nuk është hera e parë që përballet me një situatë të tillë.

Ai sqaron se kontrollet në sektorin e ndërtimit janë kryer në kuadër të planeve strategjike dhe operacionale të Administratës Tatimore, me qëllim mbledhjen e të ardhurave dhe luftën kundër evazionit fiskal. Mes subjekteve të kontrolluara, sipas tij, kanë qenë edhe biznese të lidhura me familjen e Spiropalit.

“Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese”, deklaron Binaj.

Ai shton se kontrollet kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor në përmasa të mëdha. Për këtë arsye, dosjet po referohen pranë organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme. Binaj thekson se procedurat janë ndjekur njësoj si për çdo tatimpagues tjetër ndaj të cilit dyshohet për shkelje.

Në përfundim të reagimit, drejtori i Tatimeve i kërkon Spiropalit të mos e përmendë më emrin e tij, duke theksuar se është nëpunës shteti, nuk merret me politikë dhe nuk pranon që dinjiteti i tij apo i familjes të cenohet për shkak të detyrës.

“Znj. Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore”, përfundon reagimin Ilir Binaj.

spot_img

Latest articles

Related articles