Klinika në Tiranë zhvillojnë aktivitetin e shitjes së vezëve femërore kundrejt pagesës. Fiks Fare zbulon se si funksionon rrjeti dhe si realizohet tregtia e paligjshme në klinika fertiliteti në Tiranë. Rrjetet sociale gjithmonë e më shumë përdoren për të reklamuar produkte shërbime apo për të shitur.
Në rrjetin social Tik Tok, Fiks Fare zbuloi një faqe të quajtur EGG (Vezët) e cila reklamonte shitjen e vezëve femërore kundrejt pagesës 1000 euro.
Fillimisht, gazetarët komunikuan me mesazhe, për të shprehur interesin. Faqja kërkoi të dhënat si emri, mosha, gjatësia, ngjyra e syve, pesha, grupi i gjakut, dhe mbi të gjitha theksoi se nevojitet pasja e aplikacionit Telegram.
Pas bisedave të para në Tik Tok, stafi komunikoi në Telegram, ku kërkohet data e fillimit dhe mbarimit të ciklit menstrual, dhe sigurohen për pagesën prej 1000 euro për individët me pasaportë shqiptare.
Në fund, në bisedat në Telegram thuhet se pagesa do të bëhet ditën e dhurimit, dhe gazetarja e infiltruar do të kontaktohej nga koordinatorja e spitalit. Fill pas kësaj në telefonin e gazetares mbërrin një mesazh nga koordinatorja e Turkish International Hospital, e quajtur Lira.
Fiks Fare shkoi në ambientet e spitalit i cili ndodhet në zonën e Bllokut. Koordinatorja shpjegon se fillimisht vajza do t’i nënshtrohet analizave si grupi i gjakut, entromentoza etj dhe një vizitë mjekësore gjinekologjike, ku do të vlerësohet nëse mund të bëhet dhurimi i vezëve.
Ato duhet të jenë të shëndetshme pasi do të dhurohen për lindjen e një bebi. Pagesa bëhet kesh nga spitali, pohon koordinatorja.
Menjëherë pas kësaj gazetarja e Fiksit shkon të përballet me koordinatoren e Turkish International Hospital për ta pyetur për tregtinë që bëhet me shitjen e vezëve kundrejt pagesës. Zonja Lira mohon procedurën dhe justifikohet duke thënë “e kam pyetur vajzën si i beson Tik Tok” e më pas mbyllet në zyrë duke refuzuar të jap sqarime.
Por a është vetëm Turkish International Hospital që kryen këtë aktivitet të paligjshëm në Shqipëri? Fiks Fare shkoi edhe në një nga klinikat gjinekologjike më te njohura në Tiranë. Klinika Glozheni. Fillimisht një mjek pohon pagesën 1000 euro dhe se duhen ndjekur mjekimet e duhura.
Gjatë vizitës mjekësore mjeku Elko Glozheni pohon se vajza fillimisht duhet ti nënshtrohet analizave për të parë nëse është në kushtet e duhura për këtë procedurë, e më pas e drejton gazetaren në laborator për të bërë analizën.
Pas investigimit, Fiks Fae shkoi në klinikën Glozheni për tu përballur me mjekun Elko Glozheni. Ai deklaron se duhet të dalim jashtë më te mirë, që mos të çohet. “Nuk shet njëri vezë”- pohoi doktori pa sqaruar se përse paguhen 1000 euro për dhurimin.



