SPAK ka regjistruar procedim penal mbi bazën e kallëzimit që një grup ekspertësh dhe protestuesish depozituan më 12 gusht ndaj kryeministrit Edi Rama, funksionarëve të tjerë publikë dhe subjekteve private të përfshira në projektet turistike në Rrjoll dhe Divjakë-Karavasta.
Në një shkresë me datë 6 nëntor, nënshkruar nga drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, prokuroria u konfirmon kallëzuesve se procedimi penal nr. 97 është regjistruar më 10 shtator 2026 dhe ndodhet “në hetim”.
Kallëzimi mbështetet kryesisht në hetimet e Citizens.al: “The Albanian Files”, harta e resorteve mbi zonat e mbrojtura, dhe “Dosjet e KKT-së”, baza e të dhënave me 252 vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit, publikuar në platformën whoownsthealbaniancoast.com.
“Dokumentet, e zeza mbi të bardhë, janë mënyra e vetme për ta rrëzuar gjithë këtë zhvillim të gabuar të territorit”, thotë për Citizens.al arkitektja Entela Spahivogli, nismëtare e kallëzimit. Sipas saj, kallëzimi është përkthimi në gjuhë ligjore i revoltës që shpërtheu në Zvërnec dhe e kanë nënshkruar të gjitha grupet e protestës, “pavarësisht ndasive”. Ajo pret që SPAK t’i shqyrtojë projektet një nga një, duke nisur nga “ai që firmos, kryetari i KKT-së, që është Kryeministri”.
Deri tani kallëzime të tilla kanë përfunduar me mosfillim. Kjo do të thotë se nën hetim janë Rama dhe i gjithë zinxhiri vendimmarrës i KKT-së që ka vendosur për tre projektet.
Nga sheshi në SPAK
Kallëzimi kërkon hetim për shpërdorim detyre, ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë, korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë dhe grup të strukturuar kriminal. Thelbi i tij është një model i përsëritur: ndryshohet ligji, miratohet një instrument i posaçëm planifikimi, jepet leja, gjithmonë përmes Këshillit Kombëtar të Territorit, që e kryeson kryeministri.
Tre rastet në fokus:
Baks-Rrjoll. Vendimi nr. 39 i KKT-së, datë 17.12.2024, me firmën e Ramës dhe të Belinda Ballukut, miratoi rregulloren e veçantë për resortin “Blue Borgo”. Projekti mori statusin e investitorit strategjik, ndonëse AIDA ka konfirmuar dy herë se nuk ekziston vendim i Komitetit të Investimeve Strategjike.
Divjakë-Karavasta. Masterplani “Kingscoast”, për një qytet të ri brenda parkut kombëtar, u depozitua që në tetor 2023, ndërsa regjistri zyrtar e tregon ende zonën si të mbrojtur.



