Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas transferimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.
Veliaj e ka cilësuar këtë veprim si një “rrëmbim policor” dhe “transferim politik”, duke pretenduar se është kryer pa pëlqimin e tij.
Shehaj e lidhi këtë zhvillim me reagimin e mëparshëm të Veliajt për protestat studentore, të cilat kryebashkiaku i kishte përshkruar si “fundi i një bote” dhe jo “fundi i botës”.
Sipas kreut të Partisë Mundësia, zhvillimet e fundit janë shenjë e dobësimit të pushtetit që, sipas tij, ka drejtuar vendin gjatë viteve të fundit.
“Erion Veliaj përshëndeti ndryshimin e regjimit autokrat në Serbi dhe uroi që e njëjta gjë të ndodhte edhe në Shqipëri. Ka reaguar menjëherë Edi Rama. Sot ka vendosur Ministria e Drejtësisë të transferojë Erion Veliajn nga burgu ku ai preferonte të qëndronte në Durrës tek burgu i Fierit”, deklaroi Shehaj.
Ai e cilësoi situatën si një shenjë të asaj që e quajti “shkërmoqje” të pushtetit dhe të strukturave që, sipas tij, kanë drejtuar Shqipërinë ndër vite.
Në vijim, Shehaj tha se pret që Veliaj të bëjë publike të gjitha çështjet dhe veprimet për të cilat ai pretendon se ka bashkëpunuar me kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, çdo person që rezulton i përfshirë në korrupsion duhet të përballet me drejtësinë.
“Tani presim që Erion Veliaj të tregojë të gjitha zullumet që kanë bërë së bashku dhe Edi Rama të dalë para drejtësisë njësoj si Erion Veliaj”, theksoi Shehaj.



