Një mal i madh betoni, i cili fillon si një strukturë dhe më pas degëzohet në disa drejtime, do të ngrihet në një nga zonat bregdetare me dendësinë më të madhe jo vetëm në Shqipëri apo Ballkan, por edhe në Europë. Zona e Plazhit, Malit të Robit, Golemit dhe Qerretit po kthehet në një masiv i stërmadh betoni, ku edhe ato pak godina të ulta, po prishen për ti lënë vendin strukturave të gjera dhe të larta, si rasti që po trajtojmë në këtë investigim.
Javët e fundit qeveria ka zbardhur një tjetër leje ku dyshohet se fshihet sërish familja e Vangjush Dakos, apo vëllezërve të tij, që kanë një perandori të madhe betoni në atë qytet. Projekti i radhës vjen nga zona e Malit të Robit, ku në fotot e maketit që ka publikuar qeveria, do të ndërtohet një godine e stërmadhe, e lartë deri në 18 kate dhe shumë e gjerë.

Qeveria ka dhënë leje për një godinë 9, 13, 14 dhe 18 kate në Malin e Robit. Sipas dokumenteve, “objekti pozicionohet në rrugën ‘Bulevardi Pishat e Buta’ në afërsi të Malit të Robit, në Golem”.
Në leje shkruhet se ndërtuesi i këtij masivi të madh betoni do të jetë kompania “Royal G Max” shpk, një kompani e themeluar në vitin 2023 dhe me pronar Arkenad Gripshin. Ky i fundit, ka një tjetër firmë në qytetin e Durrësit, të quajtur “Kristi Konstruksion”. Gjatë kohës së tërmetit, dolën në dritë parregullsitë e ndërtimeve të pallateve të kësaj firme, e cila e merrte betonin nga kompania “3D”, me pronar Edmond Dakon, vëllanë e Vangjush Dakos.




