Këtë 22 tetor, Princesha Geraldinë feston ditëlindjen e saj dhe babai i saj, Princ Leka, nuk mund të qëndronte pa shkruar disa fjalë zemre për gëzimin e tij të parë, vogëlushen e tij me flokët e arta dhe zemrën e bardhë.
Në këtë ditë të veçantë, Princ Leka ka zgjedhur t’i kushtojë së bijës një dedikim të ndjerë, ku nuk mungojnë as dashuria, as krenaria për vajzën që po rritet, por as malli për momentet e bukura të fëmijërisë që kalojnë kaq shpejt.
Përmes një mesazhi plot emocion, ai shpreh dëshirën që Geraldina të rritet e lumtur, të ketë shëndet, dashuri dhe njerëz të mirë pranë vetes. Por mbi të gjitha, i kujton se, pavarësisht viteve që do të kalojnë dhe rrugëve që do të zgjedhë në jetë, ajo do të ketë gjithmonë një vend ku të kthehet: pranë babait të saj.
“E dashura ime Geraldinë”, kështu e nis Princ Leka dedikimin e tij, për të vijuar me fjalë që tregojnë gjithë ndjenjat e një prindi që sheh të bijën të rritet para syve.
“Mes krenarisë për vajzën që po bëhesh dhe mallit për çdo etapë që lëmë pas, kuptoj gjithnjë e më shumë se sa i çmuar është çdo çast që kalojmë së bashku në këtë rrugëtim të jetës…”, shkruan ai.
Postimi i Princ Lekës:
E dashura ime Geraldinë,
Mes krenarisë për vajzën që po bëhesh dhe mallit për çdo etapë që lëmë pas, kuptoj gjithnjë e më shumë se sa i çmuar është çdo çast që kalojmë së bashku në këtë rrugëtim të jetës…
Uroj që Zoti të të ruajë, të të udhëheqë drejt së mirës dhe të të dhurojë një jetë të mbushur me shëndet, dashuri, paqe dhe njerëz që ta vlerësojnë zemrën tënde. Uroj që të mos të mungojë kurrë arsyeja për të buzëqeshur, as forca për t’u ngritur kur jeta të vërë në provë.
Dhe, pavarësisht se sa vite do të kalojnë, sa e madhe do të bëhesh apo sa larg do të të çojnë ëndrrat e tua, dua ta dish se do të kesh gjithmonë një vend ku mund të kthehesh, një dorë që do të të presë dhe një zemër që do të jetë gjithmonë e jotja.
Rritu e lumtur, bija ime! Çfarëdo që të sjellë jeta, do ta zbulojmë bashkë, hap pas hapi.
Të dua më shumë nga sa mund të të shpjegoj sot, dhe ndoshta më shumë nga sa do të mund të të shpjegoj ndonjëherë me fjalë…
Me gjithë dashurinë dhe krenarinë e një prindi të bekuar që të ka ty,
Babi



