Më 07 tetor 2026, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio mbajti në Akropol, një fjalim, i cili mund të hyjë në analet e historisë si një thirrje e diplomacisë amerikane për ringjalljen e vetëbesimit të qytetërimit perëndimor, për riafirmimin e fuqisë dhe sovranitetit kombëtar, si edhe për riformulimin dhe ripërcaktimin e marrëdhënies transatlantike mbi themelet e interesave të përbashkëta, përgjegjësive të ndërsjellta dhe trashëgimisë historike e qytetëruese, e cila bashkon Evropën me Shtetet e Bashkuara.
Duke hequr paralele mes parimeve themelore të qytetërimit të lashtë grek me prirjet që karakterizojnë realpolitikën aktuale perëndimore, Sekretari amerikan i Shtetit vëren një kontrast të thellë mes idealeve mbi të cilat është ngritur qytetërimi perëndimor dhe vizionit aktual të lidershipit perëndimor.
Në këndvështrimin e tij, shumë prej ideologjive bashkëkohore duket se kanë përqafuar vizionin e një bote ku siguria absolute është kthyer në qëllim në vetvete, ku synohet eliminimi i çdo rreziku dhe mundësie dështimi, por ku, bashkë me to, zbehen edhe vlerat e guximit, të sakrificës, të lavdisë së fitores dhe të përgjegjësisë morale që mbart disfata.
Ne, në ditët tona, në vend që të ndjekim shembullin e grekëve të lashtë për t’i ngritur lart standardet dhe për të nxitur ekselencën apo përsosmërinë, zgjedhim t’i ulim ato, duke i përshtatur me një nivel ku askush të mos përballet me mundësinë e dështimit. Shqetësimi për të garantuar rehatinë e atyre që nuk arrijnë të përmbushin pritshmëritë shpesh mbizotëron mbi përpjekjen për të nxitur talentin, aftësitë dhe potencialin e më të mirëve. Në këtë mënyrë, në vend që ta shndërrojmë përsosmërinë në një ideal drejt të cilit duhet të synojmë, rrezikojmë ta bëjmë atë peng të mesatares, të konformizmit dhe të mediokritetit.
Pavarësisht idealeve të tyre të larta, grekët e lashtë nuk e shihnin botën me naivitet. Ata ishin të vetëdijshëm se çdo komb udhëhiqet nga interesat e veta dhe se qeverisja e shtetit kërkon urtësi, maturi dhe aftësi diplomatike. Por, njëkohësisht, ata e kuptonin më së miri se diplomacia dhe përmbajtja nuk mjaftojnë gjithmonë dhe se, kur mundësitë e tyre shterojnë, shteti duhet të jetë i aftë të mbrojë interesat e tij, edhe përmes forcës. Për ta, fuqia e vërtetë nuk qëndronte thjesht te zotërimi i mjeteve të mbrojtjes, por edhe te përcjellja e besueshmërisë dhe vendosmërisë për t’i përdorur ato kur rrethanat e kërkojnë.
Virtytet që ndër shekuj formësuan ndërgjegjen morale dhe identitetin e qytetërimit perëndimor mishërohen te martiri i krishterë që zgjodhi sakrificën në vend të mohimit të besimit, te patrioti që flijoi jetën për lirinë dhe atdheun, te qëndresa e Shën Tomas Morit dhe heroizmi i mbrojtësve të Alamos.
E njëjta frymë përshkon edhe fjalët historike të etërve themelues, të cilat mbyllin Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku nënshkruesit zotohen solemnisht të vënë në shërbim të kauzës së përbashkët jetën, pasurinë dhe nderin e tyre të shenjtë.
Nga trashëgimia e Greqisë së lashtë, Perëndimi përvetësoi një prej vlerave të tij më themelore: ndjenjën e lartë të detyrës, besnikërinë e palëkundur ndaj parimeve dhe gatishmërinë për të sakrifikuar gjithçka në mbrojtje të idealeve, kauzës dhe atdheut.
Heronjtë e qytetërimit perëndimor janë ata që e dëshmojnë madhështinë e karakterit pikërisht në çastet kur besnikëria ndaj detyrës kërkon sakrificat më të mëdha. Janë njerëzit që nuk e thyejnë fjalën e dhënë, edhe kur kjo u kushton shtrenjtë; ushtarët që nuk tërhiqen nga pozicionet e tyre, edhe përballë rrezikut më të madh dhe, kapitenët që, besnikë deri në fund ndaj përgjegjësisë së tyre, zgjedhin të fundosen bashkë me anijen. Ajo që i bashkon është bindja se nderi, detyra dhe besnikëria ndaj parimeve nuk maten me lehtësinë e rrethanave, por me vendosmërinë për t’u qëndruar atyre besnikë edhe përballë sakrificës sublime.
HB, 11/10/2026
Më poshtë, fjala e plotë e Sekretarit amerikan të Shtetit. (Pak e gjatë për këtë platformë, por, ja vlen të lexohet dhe rilexohet…)
NË MBROJTJE TË QYTETËRIMIT PERËNDIMOR
Në mbarë botën gjenden rrënoja madhështore. Në shumë raste, ato janë vende ku historia duket sikur e ka shteruar vetveten: mbetje të kulturave të largëta, të cilat prej kohësh janë zhdukur nga kujtesa e gjallë e njerëzimit.
Por Akropoli është ndryshe.
Për mijëra vjet, qytetërimi që ndërtoi atë që qëndron pas meje ka magjepsur imagjinatën e botës perëndimore. Breza të tërë burrash shteti, artistësh dhe filozofësh tanë e kanë vështruar atë me admirim dhe me një ndjenjë të thellë madhështie.
Koha ka prirjen t’i zbehë përshtypjet tona: fitoret e mëdha dhe disfatat katastrofike duket sikur tkurren, duke u shndërruar në shënime anësore të librave të historisë, në fakte të tjera që nxënësit tanë duhet t’i mësojnë përmendësh dhe më pas t’i harrojnë. Por grekët e lashtësisë duket se ushtrojnë një ndikim pothuajse mistik mbi kujtesën tonë. Ata na thërrasin vazhdimisht të kthehemi tek ata.
Në vitin 480 para Krishtit, ushtritë e Kserksit mbërritën në këtë qytet dhe u vunë zjarrin vendeve të tij të shenjta. Shumica e athinasve ishin evakuuar ndërkohë me anije drejt një ishulli aty pranë. Por një grusht prej tyre refuzuan të braktisnin shtëpitë e tyre. Në vend të kësaj, ata u barrikaduan në fortesën shkëmbore të Akropolit për të zhvilluar një qëndresë të jashtëzakonshme deri në fund, duke hedhur gurë gjigantë nga shkëmbinjtë mbi pushtuesit persë dhe duke mbajtur për ditë të tëra larg perandorinë më të fuqishme të epokës.
Në fund, ata u mposhtën. Persët plaçkitën tempujt, dogjën faltoret dhe e rrafshuan Akropolin. Por kur athinasit u kthyen, ata mblodhën mbetjet e shkatërruara të Akropolit të vjetër dhe i varrosën në kodrën ku ai kishte qëndruar.
Disa dekada më vonë, nën udhëheqjen e Perikliut, ata ngritën Partenonin.
Prej 25 shekujsh, Partenoni vazhdon të qëndrojë në këmbë. Perandori janë ngritur dhe kanë rënë nën hijen e tij. Dhe pasardhësit e burrave që e ndërtuan – bijtë e Athinës dhe të Romës – e kanë çuar qytetërimin e tyre deri në skajet më të largëta të Tokës.
Dy shekuj e gjysmë pas themelimit të Republikës Amerikane, në anën tjetër të botës nga vendi ku ndodhem sot, unë qëndroj këtu si Sekretar i Shtetit i asaj republike dhe si stërnip i kolonëve që mbërritën në Botën e Re nga Spanja. Qëndroj këtu për të dëshmuar për një borxh mirënjohjeje që as kalimi i kohës dhe as largësia gjeografike nuk mund ta shuajnë kurrë.
Historia e Amerikës, historia e vendit tim, mban kudo gjurmët e lashtësisë. Greqia është e gdhendur, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, në arkitekturën e institucioneve tona shtetërore: në kolonat madhështore, në kupolat dhe monumentet që gjenden anembanë kryeqytetit tonë. Qyteti ku lindi Kushtetuta jonë – Filadelfia – mban vetë një emër grek.
Burrat që themeluan vendin tim ishin të magjepsur nga trashëgimia që ne kemi marrë prej jush. Ata ishin jashtëzakonisht të kulturuar dhe njohës të thellë të historisë. Ata e kuptonin qartë vendin e tyre të veçantë në rrjedhën e saj. Por asnjë epokë tjetër e së kaluarës nuk e tërhoqi vëmendjen dhe imagjinatën e tyre aq shumë sa lashtësia.
Shumë njerëz habiten kur mësojnë se autori më i cituar në Federalist Papers nuk ishte ndonjë filozof i Iluminizmit apo teoricien politik. Jo, autori më i cituar në Federalist Papers ishte Plutarku, biografi grek i figurave të mëdha të Greqisë dhe Romës.
Është shkruar dhe folur shumë për ndikimin e Greqisë së lashtë mbi idetë e Etërve Themelues të Amerikës dhe, në fakt, mbi të gjithë filozofët dhe burrat e shtetit perëndimorë që i paraprinë atyre.
Shumica prej nesh e njohin historinë themelore.
Athina na dha demokracinë. Platoni dhe Aristoteli na dhanë filozofinë perëndimore. Konceptet tona për ligjin, virtytin, qytetarinë dhe qeverisjen republikane u formësuan në qytet-shtetet greke. Madje, një pjesë e madhe e fjalorit tonë politik – terma si demokraci, tirani dhe vetë fjala “politikë” – e kanë origjinën këtu.
E gjithë kjo është e vërtetë. Por ajo që ne, si amerikanë dhe si perëndimorë, i detyrohemi këtij vendi është në të vërtetë shumë më e thellë.
Këto institucione dhe ide ishin shprehja e jashtme e disa cilësive shumë më themelore që i dallojmë te grekët e lashtë – cilësi që nuk mund të reduktohen në ndonjë sistem apo teori të caktuar politike.
Këtu, në Athinë, gjejmë shfaqjen e parë të plotë të të gjitha tipareve thelbësore që do të përcaktonin Perëndimin: individualizmin e fuqishëm dhe ambicien e pandalshme; guximin për të eksploruar dhe shpikur; etjen për zbulime, aventura, rreziqe dhe lavdi.
Një kureshtje të pashuar për botën dhe parimet sipas të cilave ajo funksionon; një uri për të zbuluar misteret e natyrës dhe për të kuptuar sekretet e kozmosit. Një mosdurim ndaj vetë idesë së së pamundurës, një kundërshtim të çdo kufiri dhe pengese, një përpjekje të pandërprerë për të depërtuar në thellësitë e së panjohurës.
Këto nuk ishin thjesht formula apo parime të një shkolle të caktuar filozofike. Ato ishin tipare të një populli, të shprehura në traditat, rrëfimet dhe imagjinatën e tij; në cilësitë që kërkonte nga qytetarët; në idealet për të cilat njerëzit jetonin, luftonin dhe vdisnin.
T’i njohësh ata do të thotë të njohësh vetveten.
Ajo që lulëzoi këtu ishte dëshira perëndimore për të zbuluar gjithçka që padituria, errësira dhe largësia e kishin mbajtur të fshehur nga mendja njerëzore.
Grekët nuk formësuan vetëm historinë; ata na dhanë vetë historinë.
Shumë nga ato që dimë për qytetërimet e lashta vijnë pothuajse tërësisht nga dëshmitë e eksploruesve dhe historianëve grekë, të cilët nuk u mjaftuan vetëm me dokumentimin e historisë së popullit të tyre, por udhëtuan në vende të largëta për të vëzhguar dhe regjistruar historitë e popujve dhe kulturave të tjera në mbarë botën.
Ndërsa të tjerët e drejtonin vështrimin nga brenda, grekët ishin të parët që e drejtuan atë nga jashtë, duke ndjekur emocionin dhe lavdinë e zbulimit të gjithçkaje të panjohur dhe të re.
Ishte pikërisht kjo cilësi që do ta shtynte Perëndimin të krijonte dhe të ndërtonte gjëra që të tjerët nuk mund t’i realizonin, duke na dalluar nga shumë kultura dhe qytetërime të tjera, për të cilat stabiliteti dhe sigurimi i mjeteve të jetesës përbënin qëllimet më të larta të ekzistencës.
Por ajo që trashëgojmë nga grekët nuk është vetëm ambicia për të eksploruar të panjohurën; është edhe bindja se e panjohura mund të njihet. Është besimi se bota mund të përshkruhet, matet, hartëzohet dhe kuptohet; se kozmosi ka një rend racional, të qeverisur nga ligje themelore që njeriu mund t’i vëzhgojë dhe mendja njerëzore mund t’i kuptojë.
Ky ishte themeli i mendimit perëndimor: i matematikës, shkencës dhe mjekësisë sonë; i filozofisë, etikës dhe fesë sonë.
Ai hapi rrugën që Ungjilli i Jezu Krishtit të gjente tokë pjellore në Evropë dhe të lulëzonte në qytetërimin e madh të krishterë. Ai ishte themeli i pasurisë së teologjisë së krishterë – i mendimit të Augustinit dhe të Tomas Akuinit, si dhe i gjithë traditës së së drejtës natyrore.
Prej tij lindi një qytetërim i karakterizuar jo vetëm nga një kulturë e përbashkët, por edhe nga një antropologji e përbashkët – një këndvështrim i përbashkët mbi njeriun dhe vendin e tij në univers.
Pasardhësit e tij do të ndanin jo vetëm idenë e një rendi natyror, por edhe një kuptim të veçantë të virtytit, të fatit dhe të paracaktimit, të së vërtetës, së mirës dhe së bukurës; të një kodi që përcakton mënyrën se si njerëzit duhet të jetojnë; të standardeve dhe idealeve objektive drejt të cilave duhet të synojnë.
Për grekët e lashtësisë, përpjekja për përsosmëri ishte vetë parimi themelor i ekzistencës njerëzore.
Ata e organizuan gjithë jetën qytetare rreth garës, ambicies dhe konkurrencës: në filozofi dhe poezi, në skulpturë dhe teatër, në sport dhe art, në luftë dhe në qeverisjen e shtetit.
Qyteti klasik grek ishte një arenë ku burrat e mëdhenj mund të viheshin në provë dhe të dëshmonin vlerat e tyre, të zhvillonin potencialin përmes përpjekjes së vazhdueshme, për të qenë më të mirët, më të fortët, më të bukurit, duke u përpjekur të afroheshin gjithnjë e më shumë me përsosmërinë.
E di se për veshët e njeriut modern ajo që sapo përshkrova, kjo mënyrë jetese, mund të tingëllojë e çuditshme, madje edhe mizore.
Ideali i shumë ideologjive të kohës sonë është bërë, të themi të vërtetën, një botë me siguri të përsosur, pa rreziqe apo dështime, pa lavdinë e fitores dhe pa turpin e disfatës.
Shumë shpesh, në ditët tona, ne i ulim standardet në vend që t’i ngremë ato. I përcaktojmë standardet tona në mënyrë që askush të mos humbasë. Shqetësohemi më shumë për rehatinë e atyre që janë më pak të aftë sesa për potencialin e më të mirëve. Ne i mbajmë peng arritjet tona më të jashtëzakonshme ndaj mesatares, së zakonshmes dhe mediokritetit.
Burrat që ndërtuan Partenonin synonin lart. Ata besonin se aspirata më e lartë dhe më fisnike e jetës ishte t’i tejkaloje të tjerët, të përpiqeshe të ishe më i miri në gjithçka.
Qytet-shtetet e Greqisë së lashtë ishin të mbushura me pasione të forta, rivalitete, përçarje dhe konflikte.
Por pikërisht nga kjo përpjekje e pandërprerë për t’u dalluar lindi lulëzimi i madh i artit, filozofisë dhe energjisë politike e intelektuale, që do ta shndërronte një grup qytetesh mesdhetare në vendlindjen e qytetërimit më të madh në botë.
Thymos, siç e quanin grekët e lashtë – zjarri i pasionit, forcës, guximit dhe krenarisë – është zemra e një qytetërimi të madh. Dhe pa të? Pa të, kombet humbasin vullnetin për të luftuar, vullnetin për t’u përpjekur, vullnetin për të mbijetuar.
Sot, një pjesë tepër e madhe e Perëndimit e ka harruar këtë cilësi. Me kalimin e kohës, ne në Perëndim filluam të ndiheshim të turpëruar pikërisht për ato gjëra që na bënin të jashtëzakonshëm. Ndiheshim në siklet që arritjet tona na dallonin nga pjesa tjetër e botës. Prosperiteti ynë, në njëfarë mënyre, u shndërrua në burim faji. Nuk besonim më se e meritonim dhe e kishim fituar madhështinë tonë. Fjala “nacionalizëm” u kthye në një fjalë të papranueshme.
Kështu, ne rrëzuam monumentet tona dhe dënuam historinë tonë. Në shumë vende, u mësuam fëmijëve tanë të ndiheshin të turpëruar për vendet që do të trashëgonin.
Gjatë këtij procesi, hapëm kufijtë, zhvendosëm industrinë jashtë vendeve tona dhe lejuam që forcat tona ushtarake të dobësoheshin e të degradonin.
Dhe me çdo vit që kalonte, dukej se po transferonim gjithnjë e më shumë nga sovraniteti ynë, duke ua kaluar vendimmarrjen burokracive globale, shumë larg mundësisë sonë për t’i kontrolluar.
Por të tjerët ishin më se të gatshëm të mbushnin boshllëkun që lamë pas – boshllëkun e krijuar nga dobësia jonë. Dhe, ndërsa besimi i Perëndimit në vetvete lëkundej, kundërshtarët dhe rivalët e tij bëheshin gjithnjë e më këmbëngulës, duke shtuar pasurinë dhe fuqinë e tyre në vendin tonë.
Sot gjendemi në një udhëkryq. Sepse dekada e ardhshme dhe vendimet që do të marrim do të shkruajnë historinë e shekullit të ardhshëm.
Rruga që do të zgjedhim do të përcaktojë nëse Perëndimi do ta ruajë pozitën e tij udhëheqëse në botë apo do t’i nënshtrohet një të ardhmeje të karakterizuar nga dobësimi, nënshtrimi dhe rënia.
Ose do të zgjedhim të veprojmë tani, ose do të humbasim mundësinë për të zgjedhur të veprojmë.
Nën drejtimin e Presidentit Trump, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë zgjedhjen e tyre.
Ne zgjedhim të ndjekim pa ndrojtje fuqizimin kombëtar: të rimarrim kontrollin mbi zinxhirët tanë kritikë të furnizimit, të riindustrializojmë ekonominë, të rindërtojmë mbrojtjen dhe të luftojmë për epërsi në teknologjitë dhe industritë e së ardhmes.
Ne zgjedhim të synojmë horizonte të reja: në prodhimin e avancuar dhe superinteligjencë; në dronë, armatime dhe mënyrat e zhvillimit të luftës; në gjysmëpërçues, minerale, hapësirën kibernetike dhe çdo fushë tjetër të mundësive njerëzore.
Të çlirojmë potencialin tonë energjetik, të rindërtojmë fabrikat tona, të rikthejmë astronautët tanë në Hënë dhe të nisim një epokë të re të eksplorimit hapësinor.
Me gjithë idealet e tyre të larta, grekët e lashtë nuk ishin naivë. Ata e kuptonin se kombet kanë interesa. E kuptonin se qeverisja e shtetit kërkon maturi dhe diplomaci, por gjithashtu e kuptonin se ajo kërkon edhe aftësinë për të përdorur forcën kur maturia dhe diplomacia dështojnë. Ata e kuptonin se fuqia nuk nënkupton vetëm zotërimin e mjeteve për t’u mbrojtur, por edhe besueshmërinë se je i gatshëm t’i përdorësh ato.
Ky është kuptimi klasik i politikës dhe i qeverisjes së shtetit, të cilin Administrata Trump synon ta rikthejë – jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë qytetërimin tonë.
Ne besojmë se Evropa mund të zgjohet nga gjumi i saj i gjatë dhe të rindezë zjarrin që u ndez këtu mijëra vjet më parë.
Dhe tashmë ka shenja të kësaj.
Në të gjithë kontinentin po shohim atë që shpresojmë të jetë fillimi i një ndryshimi brezash: rritje të jashtëzakonshme të shpenzimeve për mbrojtjen, një valë partneritetesh dhe programesh të reja, zgjerim të kapaciteteve prodhuese dhe industriale, në vijim të angazhimeve historike për mbrojtjen të ndërmarra vitin e kaluar në Hagë.
Greqia ka qenë në qendër të këtij ndryshimi.
Populli i këtij vendi ka dëshmuar edhe një herë se është një mik i pazëvendësueshëm si për Evropën, ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara, në gjithçka, nga energjia dhe migracioni deri te mbrojtja, fushë në të cilën Greqia ka qenë një aleate shembullore.
Dhe shpresa jonë më e sinqertë është që e gjithë Evropa të ndjekë shembullin tuaj.
Edhe pse pasionet politike ndonjëherë mund t’i kenë tensionuar lidhjet e miqësisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, nuk duhet të lejojmë që ato t’i këpusin këto lidhje. Së bashku duhet të forcojmë një aleancë të aftë të përballet me kërcënimet e epokës sonë. Dhe ne mund ta bëjmë këtë.
Sepse nuk besojmë se miqësia transatlantike duhet të jetë një marrëdhënie ku fitimi i njërës palë nënkupton humbjen e tjetrës. Përkundrazi, vizioni ynë është ai i një aleance, fuqia e së cilës është më e madhe sesa shuma e fuqive të pjesëtarëve të saj.
Këtë vizion e pamë të konkretizuar vetëm muajin e kaluar, në një marrëveshje të re dhe të paprecedentë mes Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe Grenlandës – një marrëveshje që do ta riformësojë Arktikun dhe do të forcojë sigurinë e të gjithë NATO-s. Të tre partnerët dolën fitues nga kjo marrëveshje. E gjithë Evropa, NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara dolën më të sigurta, më të forta dhe më të mbrojtura falë saj.
Ne duam të fitojmë së bashku. Ne duhet të fitojmë së bashku.
Sot është bërë modë të besohet se një politikë e jashtme e ndriçuar nënkupton vendosjen e komunitetit global përpara popullit tënd.
Mendoj se edhe këtu kemi shumë për të mësuar nga burrat e Greqisë së lashtë, sepse ata e dinin se nuk kishte asgjë egoiste apo të gabuar në besnikërinë ndaj kombit tënd, asgjë egoiste apo të gabuar në luftën për të mbrojtur interesat e tij mbi gjithçka tjetër. Ata besonin me vendosmëri në idealin e njeriut të madh: individit të jashtëzakonshëm që arrin pavdekësinë përmes veprave të veta.
Por besonin se lavdia dhe fama fitoheshin duke u përpjekur, duke sakrifikuar dhe duke realizuar vepra të mëdha në shërbim të diçkaje më të rëndësishme sesa vetvetja. Heroi që shfaqet vazhdimisht në botën e Greqisë së lashtë ishte njeriu i gatshëm të paguante çdo çmim për një kauzë të denjë për besnikërinë e tij.
Këtë e shohim te Sokrati, i cili refuzoi të hiqte dorë nga kërkimi i së vërtetës, edhe me çmimin e jetës.
E shohim te qëndresa legjendare e 300 spartanëve, të rrethuar dhe të tejkaluar shumëfish në numër nga ushtritë e mëdha të Persisë, të cilët refuzuan mundësinë për të shpëtuar veten, duke zgjedhur të luftonin deri te njeriu i fundit, në vend që të braktisnin pozicionin apo detyrën e tyre.
E shohim në mitin epik të Akilit, të cilit i ofrohet mundësia të kthehet në shtëpi dhe të jetojë një jetë të gjatë e paqësore, por që zgjedh të qëndrojë në Trojë dhe të vdesë në kërkim të lavdisë së përjetshme.
Këto janë cilësitë që do të formësonin imagjinatën morale të Perëndimit. Nga martiri i krishterë që refuzoi të tradhtonte besimin e tij, te patrioti që dha jetën për atdheun; nga Shën Tomas Mori te Beteja e Alamos, e deri te fjalët e pavdekshme përmbyllëse të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ku thuhet: “Ne i japim solemnisht njëri-tjetrit besën, duke vënë në dispozicion jetët tona, pasuritë tona dhe nderin tonë të shenjtë.” Nga grekët, Perëndimi trashëgoi ndjenjën e detyrës – besnikërinë e pathyeshme ndaj parimeve, kauzës dhe vendit të vet.
Heronjtë tanë, heronjtë e Perëndimit, janë ata që zgjedhin t’i qëndrojnë besnikë detyrës pikërisht atëherë kur kjo është më e vështirë dhe më e dhimbshme: njeriu që nuk e shkel fjalën e dhënë, ushtari që nuk e braktis pozicionin e tij, kapiteni që, siç thotë shprehja, fundoset bashkë me anijen e vet.
Kjo është krejtësisht ndryshe nga ajo që shohim edhe sot, për shembull, te fanatikë si mullahët radikalë të Iranit, kulti i vdekjes i të cilëve i lartëson fëmijët kamikazë në heronj kombëtarë dhe e paraqet martirizimin si qëllim në vetvete.
Heronjtë tanë mund të jenë të gatshëm të vdesin për kauzën e tyre, por ata nuk e adhurojnë vdekjen.
Pikërisht sepse ne e vlerësojmë jetën, arrijmë të njohim heroizmin e atyre që parapëlqejnë ta sakrifikojnë atë sesa të tradhtojnë parimet e tyre.
Sot, ne i marrim si të mirëqena këto koncepte perëndimore – heroizmin, nderin dhe detyrën.
Supozojmë se ato janë disi universale për të gjithë njerëzit, në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet.
Por nuk janë. Ato janë produkt i një karakteri të veçantë, një karakteri që lindi këtu dhe që formësoi të gjithë historinë e qytetërimit që erdhi më pas.
Një qytetërim që sot duhet të luftojmë për ta mbrojtur me të njëjtin pasion si paraardhësit tanë.
Burrat që ndërtuan Partenonin u pasuan nga arkitektët e qytetërimit të krishterë evropian, të cilët ngritën katedralet e Milanos, Këlnit dhe Firences.
Përpjekja për të përsosur formën njerëzore, që frymëzonte skulptorët e Greqisë së lashtë, gjeti një shprehje të re te Mikelanxhelo.
Kërkimi i filozofëve grekë për të kuptuar strukturën e universit u trashëgua nga Koperniku, më pas nga Galileo, Kepleri dhe Njutoni.
Etja për dije të reja ishte ajo që çoi në ekspeditën e parë të Magelanit rreth botës, në zbulimin e Amerikave nga Kolombi dhe, në fund, në udhëtimin e Apollo 11 drejt Hënës.
Dhe cilësitë që e shtynë Aleksandrin të pushtonte të gjithë botën e njohur u shfaqën përsëri te Cezari, më pas te Karli i Madh dhe Kortesi.
Në Amerikë, e njëjta traditë e rizbuloi veten në një formë të re.
Një tokë e hapur dhe e egër u bë vendi i një rilindjeje të madhe të imagjinatës dhe ambicies perëndimore.
Aspirata greke për horizonte të reja u shndërrua në frymën amerikane të eksplorimit dhe zgjerimit drejt territoreve të reja.
Qytetërimi i Athinës dhe Romës e shndërroi një republikë të re bregdetare në një fuqi kontinentale.
Amerikanët më të mëdhenj të çdo brezi kanë mbartur tiparet e pagabueshme të paraardhësve të tyre – tipare të lindura në Athinë, të formësuara nga Roma, të pagëzuara në qytetërimin e krishterë, të kalitura në farkën e Evropës mesjetare, të pajisura me gjeninë angleze të lirisë dhe më pas të bartura përtej Atlantikut, për të rilindur në brigjet e një bote të re.
Së bashku, ne duhet ta rizbulojmë tani atë frymë.
Ndodhemi në një pikë kthese – jo vetëm në historinë e kombit tim, por në historinë e gjithë qytetërimit tonë. Kërcënimet me të cilat përballemi sot janë po aq reale sa ato që u shfaqën në skenën dramatike të lashtësisë.
Interesat kombëtare nuk u zhdukën me krijimin e institucioneve ndërkombëtare.
Lufta nuk u zhduk thjesht sepse ne parapëlqenim paqen. Shtetet e tjera vazhduan të armatoseshin, të kërkonin ndikim, të konkurronin për territore, teknologji, burime, tregje, energji dhe pushtet.
Tani lufta është rikthyer. Është rikthyer konkurrenca mes fuqive të mëdha. Janë rikthyer cenueshmëria, agresioni, terrorizmi dhe një gamë e tërë kërcënimesh e sulmesh të reja. Prandaj, ne duhet të rindërtojmë institucionet dhe aleancat tona për t’u përballur së bashku me këto kërcënime, duke kuptuar se qëllimi i tyre nuk është të shfuqizojnë sovranitetin e kombeve që i përbëjnë, por ta mbrojnë atë.
Kombet nuk kanë nevojë të heqin dorë nga identitetet e tyre të veçanta për të njohur interesat që kanë të përbashkëta. Ne kemi ndërtuar një model të tillë me partnerët tanë këtu në Greqi.
Në partneritetet tona të mbrojtjes, në energji dhe teknologji, si dhe në ambicien tonë të përbashkët për të siguruar kufijtë e Evropës nga kërcënimet e migracionit masiv.
Miqësia jonë daton që nga vitet e para të kombit tim.
Kur Greqia u ngrit në vitin 1821 për të rifituar pavarësinë e saj pas shekujsh sundimi osman, amerikanët njohën në atë përpjekje diçka të ngjashme me përvojën e tyre.
Tre vjet më vonë, burri i madh i shtetit amerikan, Daniel Webster, mbajti një fjalim të famshëm në Kongres, duke ndihmuar që kauza e Revolucionit Grek të paraqitej përpara përfaqësuesve të Republikës së re Amerikane. Ai e nisi fjalimin duke ua tërhequr vëmendjen gjithçkaje që i rrethonte.
Ja çfarë tha në atë fjalim: “Kjo formë e lirë qeverisjeje, kjo asamble popullore… kjo praktikë e debatit të lirë dhe e diskutimit publik, e përballjes së mendjes me mendjen… madje edhe vetë ndërtesa ku mblidhemi, këto kolona me përmasa harmonike, kjo arkitekturë e zbukuruar, të gjitha na kujtojnë se Greqia ka ekzistuar dhe se ne, ashtu si pjesa tjetër e njerëzimit, i jemi asaj thellësisht borxhlinj.”
Këto fjalë janë po aq të vërteta sot sa ishin kur ai i shqiptoi.
Dhe të gjithë ne – jo vetëm amerikanët, por edhe evropianët dhe miqtë tanë në mbarë Perëndimin – duhet të rimësojmë mësimet që paraardhësit tanë nxorën nga ky vend dhe nga historia e tij.
Historia e Greqisë nuk na ofron thjesht një vështrim mbi format më të hershme të institucioneve tona.
Historia e Greqisë na paraqet një pasqyrim të vetvetes.
Ajo na tregon se ne jemi trashëgimtarët e heronjve të mëdhenj dhe se duhet të jemi krenarë – thellësisht krenarë – për prejardhjen tonë.
Duhet të mrekullohemi me atë që paraardhësit tanë krijuan në këto troje.
Historia e qytetërimit tonë është historia më madhështore që ka njohur ndonjëherë njerëzimi.
Dhe ajo filloi këtu, me burrat dhe gratë e para të Perëndimit. Prej tyre mund të rizbulojmë virtytet, guximin dhe forcën për t’u përballur me rreziqet që na kanosen në kohën tonë.
Marco Rubio, 07/10/2026, Akropol, Athinë



