Me 81 vota, Justina Shiroka-Pula zgjidhet në krye të shtetit të Kosovës!

spot_img
Advertisements

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës, pas votimit të zhvilluar në Kuvend.

Shiroka-Pula mori mbështetjen e 81 deputetëve, ndërsa dy fletëvotime u shpallën të pavlefshme. Një votë shkoi për deputeten Eliza Hoxha.

Pas zgjedhjes në krye të shtetit, presidentja e re iu drejtua deputetëve me një fjalim, ku deklaroi se e merr detyrën me nder dhe përgjegjësi të plotë.

“Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, tha Shiroka-Pula.

Presidentja e re u zotua se gjatë mandatit të saj do të përfaqësojë të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht dallimeve politike, etnike apo shoqërore.

“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, u shpreh ajo.

Shiroka-Pula nënvizoi gjithashtu orientimin euroatlantik të Kosovës, si dhe rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me aleatët e vendit.

Në përmbyllje të fjalimit, ajo premtoi mbrojtjen e Kushtetutës dhe interesave të Republikës së Kosovës, duke shprehur besimin në të ardhmen e vendit.

“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, tha presidentja e re.

spot_img

Latest articles

Related articles