Gazetari Anri Bala mendon se deputetet Marjana Koçeku dhe Elisa Spiropali mund të rrezikojnë votimin në Kuvend të Reformës Territoriale, që është planifikuar të kryhet gjatë seancës së nesërme me votat e mazhorancës.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Bala tha se ka sinjale për skenarin e mos votimit të reformës, duke marrë parasysh edhe deklaratat e deputetëve Braçe dhe Sina. Sipas tij duhet të ishte bërë një proces më i mirë i dëgjesave me qytetarët.
“Kalimi i reformës me 3/5 ku duhen 84 vota në atë sallë, mund të rrezikohet edhe nga deputetja Koçeku dhe Spiropali, ku zonja Koçeku është shprehur herë pas herë kundër, por edhe znj.Spiropali është hatërmbetur ndoshta, dhe me deklaratat që ka bërë z.Braçe dhe z.Sina, kjo reformë edhe mund të mos kalojë. Atë do ta shikojmë nesër, por këto janë sinjalet e para. Protesta që zhvillohet jashtë është protesta më e rëndësishme, ajo çfarë duan qytetarët. Palët duhet të ishin dëgjuar, pasi këto sajesat që bëheshin në salla të mëdha, asnjë pyetje dhe shterim s’është bërë për problematikat e mëdha që kanë bashkitë”, tha Bala



