Leli Kaja, administrator i shoqërisë aksionere ECO-ELB e cila menaxhon incineratorin e Elbasanit, është arrestuar dje nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, sapo kishte marrë një ryshfet prej 4 milionë lekësh nga një biznesmen.
“Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, sot, më 5.10.2026 arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara”, njoftoi SPAK.
Prokuroria e Posaçme zbuloi se Leli Kraja ishte në lupën e agjentëve dhe vetë SPAK prej ditësh, ndërsa më datë 1 Tetor për të ishte regjistruar procedim penal. Katër ditë më pas, në datë 5 Tetor, u vendos arrestimi me veprime të stimuluara.
Kjo tregon se prokurori dhe agjentët e BKH-së kanë qenë në dijeni të ryshfetit dhe e kanë negociuar atë, sapo administratori Leli Kaja ta merrte. Siç ndodhi, ai u arrestua në flagrancë.
“Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.
Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë”, vijon njoftimi i SPAK.
ECO-ELB është një kompani publike në pronësinë e Bashkisë së Elbasanit (52% e aksioneve) dhe bashkive të tjera të qarkut, e cila menaxhon trajtimin e mbetjeve urbane të qarkut, përfshirë edhe inceneratorin që nuk funksionon



