Dy të rinj, Edison Korra, 24 vjeç dhe Orest Balla, 23 vjeç, janë arrestuar në Tiranë pasi janë përpjekur të mashtrojnë kreun e FSHF, Armand Dukën, për t’i marrë 100 mijë euro.
Dy të arrestuarit kanë komunikuar me Armand Dukën, duke iu prezantuar si Taulant Balla, me qëllim përfitimin e 100 mijë eurove në kriptovaluta.
Biznesmeni e ka kuptuar se bëhej fjalë për një tentativë mashtrimi dhe ka njoftuar menjëherë policinë.
Gjatë komunikimit me autorët, Duka u ka thënë se nuk merrej me transaksione të tilla dhe i ka orientuar që të lidheshin me djalin e tij, pasi, sipas tij, ai merrej me këto çështje.
Në telefonin e dy të arrestuarve ka komunikuar më pas një agjent i infiltruar i policisë, i cili është prezantuar si djali i Armando Dukës.
Agjenti u ka bërë të ditur mashtruesve se paratë nuk mund t’i dërgonte në kriptovaluta, por do t’ua dorëzonte në cash.



