Orhan Pamuk, shkrimtar dhe nobelist turk! Mësimet e një jete

spot_img
Advertisements

Enver Robelli

Të kesh një libër në çantë, sidomos në kohë të vështira, nuk do të thotë asgjë më pak se kjo: të mbash me vete një botë tjetër magjepsëse. Që prej kohësh, vetë prania e një libri që lexohet me ëndje ka qenë për mua një burim force dhe ngushëllimi – qoftë gjatë orëve të mësimit, ku nga gojëhapjet e shumta më mbusheshin sytë me lot, apo në mbledhje që nuk përfundonin kurrë e ku qëndroja thjesht për mirësjellje. Arsyet pse leximi nuk më është dukur kurrë si një barrë e imponuar nga shkolla apo profesioni, por gjithmonë si një kënaqësi e zgjedhur me dëshirë, mund të përshkruhen kështu:
Arsyeja e parë është, siç u tha, bota tjetër. Ajo do të mund të quhej edhe si një «kështjellë strehimi». Të bën mirë të arratisesh për pak kohë nga prapësitë e jetës drejt një bote tjetër, qoftë kjo edhe vetëm imagjinare.
Kur isha mes moshës gjashtëdhjetëmbëdhjetë dhe njëzet e pesë vjeç, leximi më ndihmoi të gjeja veten dhe të formësoja ndërgjegjen time. Çfarë njeriu duhej të bëhesha? Çfarë kuptimi kishte bota rreth meje? Sa larg mund të shtriheshin temat, ëndrrat dhe vendet me të cilat dëshiroja të merresha? Kur përmes leximit ndiqja atë që të tjerët përjetonin, ëndërronin dhe shpiknin, atëherë e dija se këto përvoja do t’i ruanim në kujtesën time afatgjatë dhe nuk do t’i harroja më kurrë – si një fëmijë i vogël që sheh për herë të parë në jetën e tij pemët, gjethet apo një kotele. Leximet e mia do të më brumosnin dhe përfundimisht do të më bënin njeriun që doja të bëhesha. Në këtë fazë të moshës sime, leximi nxiti formësimin e vetëdijes sime – dhe sepse kjo ndodhi në një mënyrë kaq miqësore dhe të përshtatshme për fëmijët, leximi më është dukur gjithmonë si një lojë fantastike. Sot mezi ia dal rrallëherë të lexoj me aq përkushtim si dikur. Ndoshta prandaj lexoj edhe më pak në përgjithësi.
Së treti, leximi na bën me gjasë të lumtur edhe sepse na pëlqen të mendojmë se përmes tij arrijmë një thellësi të veçantë shpirtërore. Kur lexojmë një libër, një pjesë e vetëdijes sonë nuk është tërësisht te lënda, por na pëshpërit se çfarë veprimtarie e thellë intelektuale është leximi dhe na përgëzon për këtë. Proust e ka përshkruar bukur se si një pjesë e vëmendjes sonë shkëputet nga libri që po lexojmë dhe i drejtohet tryezës sonë, llambës sonë, kopshtit ku jemi rehatuar apo pamjes rreth nesh. Ne përgëzojmë veten si të thuash për shkak se jemi të vetmuar, përgëzojmë veten sa me zell punon imagjinata jonë dhe se sa më «të thellë» jemi se njerëzit që nuk lexojnë. Edhe pse unë shfaq njëfarë mirëkuptimi për këtë qëndrim, përsëri njeriu nuk duhet të ketë mendjen e madhe vetëm pse lexon.
Sa i përket ekzistencës sime si lexues, më duhet të konstatoj: Sikur televizioni, kinemaja apo mediat e tjera të kishin qenë në gjendje të më zhvendosnin po aq mirë në botë të tjera dhe të më jepnin po aq shumë dituri mbi botën sa librat, atëherë do të kisha lexuar më pak. Një ditë këto media ndoshta do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë. Por nuk do ta kenë të lehtë. Fjalët dhe letërsia janë si milingonat apo uji: ato depërtojnë gjithandej, madje edhe në çarjet dhe vragët më të ngushta. Dhe ajo që duam të dimë më së shumti për jetën dhe botën shfaqet pikërisht në këto çarje – prandaj është letërsia e para që e sheh këtë dhe mund të dëshmojë për të. Letërsia e mirë është si një fjalë rrezatuese e paanshme që nuk është thënë kurrë më parë për botën. Është kjo cilësi e lartë risie që e bën leximin aq të rëndësishëm dhe të çmuar për mua.
Sidoqoftë, do ta quaja të gabuar vendosjen e kënaqësisë së leximit në konkurrencë me dëshirën për të parë, si dhe ndërtimin e një armiqësie artificiale mes fjalëve dhe figurave. Kjo ndoshta sepse si djalë i ri doja të bëhesha piktor dhe vizatoja pa pushim. Letërsia dhe bota e figurave janë mikesha, janë motra. Leximi do të thotë për mua ta lë atë që më tregon teksti të rrjedhë si një film përpara syrit tim të brendshëm. Kur gjatë leximit bëjmë një pauzë dhe e lëmë vështrimin të bredhë mbi një figurë në mur apo jashtë dritares, ose thjesht shikojmë drejt përpara nesh, atëherë ne nuk merremi me atë që shohim aty, por me shndërrimin e asaj që sapo lexuam nga ajo botë tjetër në figura imagjinare. Që të mund të gëzohemi me atë botë tjetër të shpikur nga autori, duhet së pari të veprojë fuqia jonë e imagjinatës. Ajo duhet të na përcjellë përshtypjen se nuk jemi thjesht lexues të një teksti dhe të asaj bote tjetër, por një pjesë e saj, po, në njëfarë mënyre madje edhe krijuesi i saj, dhe prej kësaj buron një ndjenjë e fshehtë lumturie. Kjo ndjenjë e fshehtë lumturie bën që ne të mos heqim dot dorë nga leximi i librave.
Nga libri: Pamja nga dritarja ime (botimi gjermanisht: Der Blick aus meinem Fenster, 2006)

spot_img

Latest articles

Related articles