Autoritetet greke kanë goditur një nga rastet më të pazakonta të trafikimit të drogës në Athinë, ku bëhet me dije se gati 100 kilogramë kokainë u pikas e fshehur në mesin e disa trëndafilave.
Sipas mediave greke, kokaina ishte sjellë nga Kolumbia, mirëpo nuk u trafikua dot pasi u sekuestrua nga oficerët e AADE-s në aeroportin “Eleftherios Venizelos” dje, të mërkurën, të cilët përdorën informacione nga zyra e DEA-s (Agjencia Amerikane Kundër Drogës) në Athinë.
Në lidhje me këtë rast raportohet se janë vënë në pranga gjashtë persona, ku katër prej tyre thuhet se ishin shqiptarë.
Katërshja u arrestua në aeroport, ku po bëhej gati të merrnin drogën, ndërsa dy të tjerët u arrestuan në zonën e Maratonës, ku dyshohet se do të ruanin kokainën. Hetimi i AADE-s u ndihmua nga oficerë policie nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar.



