Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Tropojë, ku një punonjës i Bashkisë humbi jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur pasi ranë në kontakt me rrymën elektrike gjatë punimeve për vendosjen e shtyllave të ndriçimit.
Sipas dinamike të bërë të ditur nga Policia, aksidenti ka ndodhur në momentin kur katër punonjësit po vendosnin një shtyllë në bazament.
Dyshohet se për shkak të peshës së saj, punonjësit që po e mbanin kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e rrymës. Kontakti me linjën elektrike ka bërë që energjia të përcillej te katër punonjësit.
Njëri prej tyre, 59-vjeçari Muhamet Sylisufaj, nuk ka mundur t’i mbijetojë goditjes nga energjia elektrike dhe ka humbur jetën.
Tre punonjësit e tjerë, Albert Dunisha, 40 vjeç, Ilir Dautaj, 47 vjeç, dhe Afrim Aliaj, 21 vjeç, kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në Spitalin e Bajram Currit për të marrë ndihmë mjekësore.



