Fitim Zekthi
Shqipëria ka drejtuesit politikë, kryeministrin dhe kryetarin e opozitës më jetëgjatë në Europë dhe ndër më jetëgjatët në botë. Kjo ndodh ndërsa vendi është në një krizë të pashëmbullt politike, ka probleme të rënda me sundimin e të drejtës dhe me pavarësinë e institucioneve dhe është i pushtuar gati në çdo qelizë nga korrupsioni.
Kjo qeverisje kaq e keqe, kjo gjendje kaq e rëndë lidhet me shumëçka, por sidomos me mënyrën se si janë sjellë dhe sillen drejtuesit e lartë politikë, në veçanti kryeministri Rama. Mënyra se si vjen në pushtet ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në mënyrën se si e ushtron pushtetin. Ka tre mënyra bazë se simerret pushteti. Trashëgimia, aftësia dhe zgjuarsia dhe grushti i shtetit apo dhuna. Elliot Cohen, një studiues shumë i rëndësishëm i mënyrës se si fitohet dhe ushtrohet pushteti, se aftësia ka të bëjë me talentin për të fituar zgjedhjet dhe për të paraqitur një alternativë serioze politike, ndërsa grushti i shtetit dhe dhuna përfshijnë veç kryengritjes, grushtit të shtetit edhe blerjen e votave, manipulimin e rezultatit me kërcënime apo ofrim favoresh.
Është e qartë se kryeministri Rama që drejton qeverinë që nga 2013 dhe PS që nga 2005 e mori drejtimin e PS dhe të qeverisë në një përzierje mes aftësisë dhe grushtit të shtetit apo dhunës. Është e qartë se kjo mënyrë e të marrjes së pushtetit përcakton mënyrën se si ai e ushtron pushtetin. Është po ashtu e qartë se ish kryeministri Berisha e drejton PD-në prej vitesh apo dekadash dhe qeverinë në dy raste (1992-1997 dhe 2005-2013) duke kombinuar gjithashtu aftësinë, zgjuarsinë, por edhe dhunën apo formën e tretë. Është e qartë se PD sot (dhe më herët) është drejtuar e ndikuar nga mënyra se si është marrë në drejtim.
Deri këtu gjithçka është e qartë dhe pak a shumë kjo shpjegon edhe gjithë gjendjen shumë të rëndë të vendit. Eliot Cohen merr në analizë shumë hollësisht mënyrën se si politikanë të tillë largohen nga pushteti apo nga drejtimi. Ai thotë se mënyra se si një politikan e mban pushtetin përcakton drejtpërdrejt mënyrën se si ai ta lërë atë. Kryeministri Rama është duke bërë gjithçka që të qëndrojë në pushtet pavarësisht dështimit total të qeverisjes, pavarësisht arrestimit për korrupsion të figurave kyçe të qeverisjes së tij, pavarësisht akuzave gjigande se vetë është nën pushtetin e grupeve të krimit të lidhura me qeverisjen. Kryeministri Rama po mundohet të ndërtojë ekuilibra brenda partisë së tij, të lobojë kudo ku ka qendra pushteti në botë, të hyjë në Bordin e Paqes ku asnjë vend i BE-së nuk ka hyrë, të shkojë në parlamentin e Izraelit ku asnjë politikan europian perëndimor nuk shkon, po përpiqet të ndërtojë një shtet bektashi për të fituar mbështetje nga fuqi të huaja, sulmon me gjithçka SPAK-un, ndërron çdo 6 muaj drejtorin e policisë, nuk lejon heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Po bën gjithçka të ligjshme dhe të paligjshme, gjithçka në interes dhe kundër interesit kombëtar që mundet për të qëndruar në pushtet. Në të njëjtën mënyrë sillet edhe kryetari i opozitës. Ai po bën gjithçka në interes të opozitës dhe kundër interesit të opozitës që e lejon të ruajë kontrollin e opozitës.
Mënyrat se si një politikan largohet nga pushteti janë tre. Njëra është largimi vullnetar si rasti i George Washingtonit, i Cincinatit në Romën e vjetër, i Suarezit në Spanjë, i Adenauerit në Gjermani etj. Mënyra e dytë është largimi nga humbja e zgjedhjeve dhe humbja e mbështetjes dhe largimi i tretë është thotë Cohen me anë të marrëzisë.
Marrëzia ka të bëjë me kryerjen e veprimeve të pazakonta derinë çdo lloj forme dhune, blerje, shitje, kërcënimi, krimi për tëmos u larguar. Rastet janë pa fund. Këtë po bëjnë edhe këtatanët. Dhe kjo është e lidhur me mënyrën se si e kanë marrë, më pas se si e ushtrojnë dhe më pas se si duan ta ruajnë. Këta lloj politikanësh harrojnë, nuk duan ta pranojnë që çdo pushtet sado i fortë është i përkohshëm, është i brishtë dhe është kontingjent (varet nga rrethanat). Çfarëdo të ndodhë nga pushteti do të largohesh. Nga që nuk e pranojnë ose nuk e kuptojnë këtë gjë sillen në mënyrë të tmerrshme, kapen me thonj, bëjnë çdo zullum dhe zgjedhin “marrëzinë” si mënyrë largimi. Cohen e ilustron këtë gjë me rastin e kardinalit Wolsey (përshkruar nga Shakespeare tek Henri VIII) që është sekretari i thesarit, njeriu më pushtetshëm i mbretit Henri në Angli. Wolsey ishte shumë i fuqishëm, bën çdo marifet dhe intrigë, bën çdo krim dhe as e ka mendjen fare se mund të largohet ose mund të bjerë. Por bie kur nuk e priste. Ai sheh pastaj që e vetmja gjë që i ka mbetur është të kërkojë mëshirë, asgjë tjetër.
Kjo është gjendja e njeriut: sot ai nxjerr gjethet e njoma të shpresave, nesër çel, dhe mbulohet dendur me nderet e tij të lulëzuara; ditën e tretë vjen një acar, një acar vdekjeprurës, dhe, kur ai mendon, i gjori njeri i qetë, me bindjen e plotë se madhështia e tij po piqet, acari ia këput rrënjën, dhe pastaj bie, ashtu siç po bie unë.
Drejtuesit tanë nuk e mendojnë ditën e tretë, nuk e mendojnë acarin, ata besojnë se do të mbijetojnë pavarësisht gjithçkaje.
Rënia e tyre do të jetë e tillë. Kjo është e pashmangshme, e kanë bërë ata vetë të pashmangshme këtë mënyrë.



