Pse amerikanët braktisën Tulumin në Meksikë dhe mësimi për Edi Ramën dhe Shqipërinë 2030

spot_img
Advertisements

Tulum ishte mrekullia turistike e Meksikës: Karaibe, plazhe të bardha, hotele “eco-chic”, amerikanë, influencerë dhe investitorë që blinin apartamente me bindjen se çmimet mund të shkonin vetëm lart. Me një treg te madh tek dera: nga Miami në Tulum fluturimi zgjat vetëm dy orë. Pastaj, sa hap e mbyll sytë, suksesi filloi të hante vetveten. Mbindërtimi dhe spekulimi, trafiku, problemet me ujin, energjinë, kanalizimet, mbetjet dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës, ndotja, por edhe pasiguria, krimi i organizuar dhe narkotrafiku dëmtuan produktin. Rezultati është një paralajmërim brutal për investitorët: nga 2023 në 2025 çmimet e apartamenteve ranë 47.6%. Edhe turizmi dha sinjale të qarta: zënia hoteleve ra nga 73.8% në 2024, në 69.1% në 2025, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të 2026 ishte vetëm 66.18%, kundrejt 74.32% në të njëjtën periudhë të 2025. Në 2025 Tulumi priti gjithashtu rreth 5.3% më pak vizitorë se një vit më parë. Një boom i ndërtuar për vite mund të ndryshojë drejtim brenda vetëm dy apo tre vjetësh.

Ky duhet të jetë paralajmërimi për Edi Ramën dhe “Shqipërinë 2030”, por edhe për atë që sot blen një apartament 300 apo 400 mijë euro në Jug duke menduar se nesër do ta shesë 600 mijë. Riviera nuk mbahet nga renderat 3D: por kërkon rend, siguri, luftë kundër narkotrafikut dhe parasë kriminale, ujë 24 orë, drita, kanalizime, pastrim, mirëmbajtje infrastrukture dhe mbrojtje të mjedisit. Nëse ndërtojmë resorte, vila dhe apartamente më shpejt sesa ndërtojmë shtetin dhe shërbimet që duhet t’i mbajnë, një ditë oferta do të kalojë kërkesën. Turisti do të zgjedhë Greqinë, Kroacinë, Malin e Zi apo destinacionin tjetër; apartamentet do të mbeten bosh dhe investitori do të mësojë se çmimet e pronave nuk kanë vetëm ngritje, kanë edhe ulje nën kosto. Në Tulum, një nga tregjet më të nxehta turistike të Amerikës, vetëm dy vjet mjaftuan që çmimi i pronave të binte pothuajse përgjysmë. Askush nuk na e jep dot sigurinë se kjo nuk do të ndodhë në jug, e aq me tepër Edi Rama.

spot_img

Latest articles

Related articles