Në kuadër të operacionit “Shuma”, Krimi Ekonomik i Tiranës ka arrestuar pasditen e djeshme në Fushë-Krujë shtetasin Agron Cena, i dyshuar për vjedhjen e një shume prej rreth 100 mijë eurosh në një pikë exchange, duke përdorur emrin e biznesmenit Bashkim Ulaj.
Operacioni është zhvilluar nga strukturat e Krimit Ekonomik të Tiranës që kanë ushtruar kontroll edhe në banesën e Cenes në Fushë-Krujë.
Gjatë kontrollit, autoritetet kanë sekuestruar një automjet tip Range Rover, i cili rezulton të ishte në përdorim të Agron Cenës.
Si u zbulua ngjarja
Ngjarja u zbulua pas kallëzimit të një 70-vjeçari, pronar i Exchange-it, i cili ra pre e mashtrimit pasi u kontaktua nga persona që iu prezantuan si një i njohur i tij.
Sipas hetimeve të Policisë së Tiranës, autorët përdorën edhe një videocall, gjatë së cilës përmes inteligjencës artificiale manipuluan pamjen e personit në telefon, duke i shfaqur 70-vjeçarit fytyrën e biznesmenit Bashkim Ulaj, me të cilin ai kishte njohje.
Gjatë komunikimit, autorët i kërkuan kambistit që t’u jepte 100 mijë euro, duke pretenduar se shuma do t’i kthehej brenda pak orësh.
I bindur se kërkesa vinte nga vetë biznesmeni, 70-vjeçari dorëzoi paratë te personi që u paraqit në subjektin e tij për t’i marrë shumën.
Por, pasi kaloi afati i premtuar dhe paratë nuk u kthyen, kambisti kontaktoi Bashkim Ulajn. Biznesmeni mohoi të kishte kërkuar para apo të kishte dërguar ndonjë person për t’i marrë ato.
Në këto kushte, 70-vjeçari iu drejtua Policisë së Tiranës, duke vënë në lëvizje specialistët e Krimit Ekonomik.
Hetuesit nisën verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe mundën të gjurmonin personin që shkoi në Exchange, si dhe automjetin me të cilin ai u largua. Makina rezultoi se ishte marrë me qira, çka ndihmoi në gjurmimin e autorëve dhe zbardhjen e skemës.
Policia arrestoi Brian Sericën, 31 vjeç, dhe Skerdi Metën, 23 vjeç, ndërsa shpalli në kërkim Rigels Hysenin, 31-vjeçar, ndërsa dje pasdite u arrestua dhe Agron Cena



