Për të dytën ditë radhazi, kryeministri Edi Rama po zhvillon takime në Pogradec, ku pas mbledhjes së një dite më parë me drejtuesit politikë dhe krerët e komisioneve përkatëse, këtë të hënë ka ulur në tryezë ministrat e kabinetit qeveritar.
Mbledhja e cila nisi në orën 11:00 në ambientet e vilës qeveritare në Pogradec, po vijon me prezantimin e arritjeve të ministrive përgjatë vitit të parë të mandatit të katërt qeverisës të Ramës.
Ndërkohë, jashtë vilës qeveritare, njësoj si një ditë më parë, janë mbledhur mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Socialiste, të cilët presin të takojnë kryeministrin.
Mes tyre është edhe një emigrant shqiptar që ka udhëtuar nga Greqia drejt Pogradecit për rreth pesë orë, me një qëllim të vetëm, të takojë Edi Ramën dhe ta falënderojë atë për mbështetjen që ai u ka dhënë emigrantëve. Ai tregoi gjithashtu se mbështetja e tij për Partinë Socialiste daton prej vitesh, duke kujtuar edhe periudhën e qeverisjes së Fatos Nanos.
“Unë kam ardhur nga Greqia. Erdha të takoj kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Erdha ta takoj nga zemra që kam për të, ti jap ato falenderimet e mija që kam si refugjat. Për ne refugjatët ka bërë shumë punë, kam 35 vite në Greqi. Për pensionet më ka bërë shumë. Një lajm tjetër do të mblidhen marrëveshja që do të na njihen vitet e punës. Pesë orë rrugë kam bërë, kam ardhur ta takoj vetëm për atë punë. Mos të të gënjej, unë kam qenë që në kohë ne Fatos Nanos. Kam hyrë në burg në 1993, më ka nxjerrë Namik Dokle me Fatos Nanon, që nga ajo ditë ika në Greqi”, ka thënë ai.
Ndërkohë që i pyetur për protestat që prej më shumë se 80 ditësh po zhvillohen në Tiranë, qytetari u shpreh kundër tyre, duke i cilësuar si të kota dhe pa një arsye të fortë për të vijuar.
“Për mendimin tim këto protestat janë kot. të kota. Pse ngrihet? Të ngrihet ai që nga Vlora, nga Struga. Pse ngrihet ai? Edhe diçka tjetër…Unë para se të bëheshin votimet, refugjatët atje, kam marrë 185 vota. Jam socialisti çmendur, kam shpresë shumë të madhe ta takoj dhe le të vdes pastaj. Ta takoj njëherë edhe. Në jetën time vetëm Fatos Nanon kam takuar”, tha ai ndër të tjera.



