Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar Omanin me sulme ushtarake nëse vendi ndërhyn apo pengon përpjekjet e SHBA-së për negociata me Iranin. Deklarata është bërë gjatë një interviste telefonike me televizionin Fox News, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta.
Sipas gazetarit të Fox News, Trey Yingst, Trump ka deklaruar se nëse Omani do të pengonte përpjekjet amerikane, SHBA-ja do ta “bombardonte deri në fund”. Kërcënimi vjen në një moment kur Omani po luan një rol të rëndësishëm ndërmjetësues në bisedimet për situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Omani e ka cilësuar veten si një shtet neutral në konflikt dhe ka marrë pjesë në përpjekjet diplomatike për të mundësuar rihapjen e kësaj rruge strategjike detare. Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimeve globale me naftë dhe gaz të lëngshëm.
Tensionet u shtuan pasi autoritetet iraniane njoftuan se kishin arritur një mirëkuptim për një “hartë rrugore” që do të mundësonte tranzitin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se palët po punonin për finalizimin e detajeve përpara publikimit të një deklarate të përbashkët.
Omani ka deklaruar më herët se bisedimet me Iranin kanë qenë pozitive dhe se po përpiqet të ndihmojë në uljen e tensioneve dhe rikthimin e lëvizjes së lirë të anijeve



