Gjashtë persona janë arrestuar nga policia, përfshirë administratorin e lokalit “Orange”, si dhe është shpallur në kërkim një tjetër, lidhur me ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Sarandë.
Më pas, gjatë kontrolleve, policia lokalizoi në një banesë në fshatin Gjashtë pjesën tjetër të rojeve të sigurisë së lokalit, që janë pjesë e Elite Security me pronar Ariola Hysa. Në pranga u vunë administratori i lokalit ‘Orange’ 35 vjeçari Marjo Katiraj, 38 vjeçari Elgent Ndoj por edhe Faik Hoxha 35 vjeç, Indrit Cullhaj 34 vjeç, Ardit Kasemi 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr dhe roje sigurie në lokal, si dhe taksisti 29 vjeçar Besnik Sullollari. Ndërsa 28 vjeçari Pjetër Doçi që punonte si roje sigurie u shpall në kërkim.
Të arrestuarit dyshohet se goditën për shkak të detyrës Shefin e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Sarandë Mateo Bakalli, i cili ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti mes rojeve të sigurisë së një lokali dhe disa shtetasve.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, ka pezulluar menjëherë nga detyra dy efektivë të Policisë, një punonjës të Repartit “RESI” inspektor A.Sh dhe një efektiv të RENEA-s A.B., pasi sipas Policisë rezultonin të dypunësuar pa leje si roje sigurie në lokalin ku ndodhi konflikti.



