Për të dytin vit radhazi, startup-i Marigo është shpallur përfitues i fondeve publike të akorduara përmes programeve të mbështetjes nga Startup Albania.
Në vitin 2024, përmes thirrjes për “Masa Mbështetëse”, projekti Marigo Marketplace përfitoi një financim prej 3.5 milionë lekësh në Fazën 2 të zhvillimit.
Dy vite më vonë, në vitin 2026, i njëjti projekt, tashmë i regjistruar me emrin Marigo Fashion Marketplace, u shpall sërish fitues në Fazën e Zgjerimit, duke përfituar edhe 6.8 milionë lekë të tjera financim publik.
Në total, projekti ka përfituar mbi 10.3 milionë lekë, ose rreth 110 mijë euro, të siguruara nga fondet publike.
Por ndërsa financimi është rritur, lind pyetja se cili është sot statusi i produktit të mbështetur me këto fonde.
Aplikacioni Marigo për Android rezulton të jetë hequr nga platforma Google Play Store më 10 korrik 2026. Para heqjes, aplikacioni kishte regjistruar vetëm 284 shkarkime që nga publikimi, ndërsa versioni i fundit i tij ishte publikuar në qershor 2025.

Në platformën App Store të Apple, profili i zhvilluesit nuk shfaq më aplikacione aktive. Ndërkohë, faqja zyrtare marigoapp.com aktualisht nuk është funksionale dhe shfaq një gabim serveri.
Kështu, një projekt i cili është financuar dy herë nga fondet publike aktualisht nuk është i aksesueshëm për përdoruesit: nuk gjendet në Android, nuk rezulton aktiv në iOS dhe nuk funksionon online.
Megjithatë, projekti është konsideruar mjaftueshëm i suksesshëm për të kaluar nga faza e zhvillimit në Fazën e Zgjerimit, duke përfituar një financim të dytë prej 6.8 milionë lekësh.
Ky rast ngre pikëpyetje mbi mënyrën e monitorimit dhe vlerësimit të granteve publike për startup-et.
A verifikohet nëse një produkt i financuar më parë ka përmbushur objektivat e përcaktuara përpara se të përfitojë financime të reja? Cilat janë kriteret që përcaktojnë kalimin nga një fazë zhvillimi në fazën e zgjerimit? Dhe çfarë mekanizmash ekzistojnë për të garantuar që fondet publike të çojnë në produkte funksionale dhe të qëndrueshme?
Mbi të gjitha, mbetet pyetja kryesore: kush mban përgjegjësi kur një projekt i financuar me para publike nuk është më aktiv dhe nuk ofron më shërbimin për të cilin është mbështetur?marrëngaZoom.al



