Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, është paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë Speciale për t’u marrë në pyetje në kuadër të një hetimi për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas mediave në Kosovë, Aliu, i cili aktualisht ushtron detyrën e drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit në Shqipëri, ka nisur intervistimin gjatë orëve të paradites.
Aliu drejtoi Ministrinë e Infrastrukturës deri më 27 gusht 2025, kur dha dorëheqjen pas zgjedhjes së Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës. Pas largimit të tij, detyrën e ministrit e mori Hysen Durmishi.
Në tetor 2025, Aliu u emërua drejtor i Portit të Durrësit. Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës po vijon hetimet për të sqaruar dyshimet që lidhen me ushtrimin e funksionit të tij si ministër.



