Personi i cili organizoi operacionin e forcave speciale për të vrarë presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan gjatë grushtit të shtetit të vitit 2016 është arrestuar pas 10 vitesh.
Sipas Ministrisë së Brendshme, u krye një operacion në shkallë të gjerë që çoi në arrestimin e Burkay Karatepe, një ish-kapiten ushtrie dhe pilot helikopteri.
Falë një analize dhe përpjekjeje të përbashkët mbikëqyrjeje, hetuesit arritën të gjenin personin e kërkuar. Autoritetet e identifikuan Karatepen si anëtarin e fundit të mbetur të komandos prej 37 personash të përfshirë në tentativën e sulmit.
Ndaj Karatepe, i kërkuar nëpërmjet një “njoftimi të kuq” të Interpolit, ishte lëshuar një urdhër arresti me akuza që përfshinin tentativën e vrasjes së Presidentit të Republikës, vrasjen e një personi gjatë ushtrimit të detyrës publike, shkelje të Kodit Penal Ushtarak dhe grabitje të rënduar, të kryera natën në një shtëpi me përdorimin e armëve dhe në bashkëpunim me individë të shumtë.
I dyshuari thuhet se u arrestua të shtunën gjatë një operacioni të kryer në një apartament që besohet të jetë një “shtëpi e sigurt” për organizatën, i vendosur në një kompleks banimi në qendër të Afyonkarahisarit.
Sipas hetuesve, pas sulmit të tentuar, Karatepe ndryshoi vazhdimisht pamjen e tij për të shmangur kapjen, përfshirë edhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara të identitetit.
Ai u identifikua pasi u regjistrua nga një sistem njohjeje të fytyrës dhe se, pasi ishte nën mbikëqyrje për njëfarë kohe, u arrestua ndërsa përpiqej të arratisej jashtë vendit me një shumë të konsiderueshme parash.



