Policia ka zhvilluar dy operacione në Vlorë dhe Sarandë, ku ka goditur raste të armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Si rezultat i aksioneve, katër persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa janë sekuestruar armë, drogë dhe automjete.
Në total, policia ka sekuestruar një pistoletë me 6 fishekë, rreth 5 kilogramë cannabis sativa, një sasi kokaine dhe dy automjete.
Në Vlorë u arrestua 30-vjeçari me iniciale E. O., i cili u ndalua në një parking pranë një lokali në zonën e Lungomares. Gjatë kontrollit, në çantën e tij u gjet një armë zjarri pistoletë me 6 fishekë, si dhe një sasi kokaine dhe cannabis sativa.
Ndërkohë, në Sarandë ranë në pranga tre persona: Ardit Cama, 30 vjeç, banues në Lukovë; Argjend Nanaj, 31 vjeç, banues në Lukovë, me precedent penal për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje; si dhe Keldi Jovani, 26 vjeç, banues në Sarandë, me precedent penal në fushën e narkotikëve.
Tre të arrestuarit u kapën në aksin rrugor Nivicë–Sarandë, pranë urës së Kakomesë, teksa udhëtonin me dy automjete. Gjatë kontrollit të automjetit që drejtohej nga Argjend Nanaj, ku ndodhej edhe Ardit Cama, u gjetën rreth 5 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa.
Sipas hetimeve paraprake, droga dyshohet se transportohej me qëllim shitjen në zonat e Sarandës dhe Ksamilit. Ndërkohë, policia dyshon se Keldi Jovani lëvizte me automjetin tjetër për të monitoruar itinerarin dhe për të sinjalizuar praninë e forcave të rendit



