Qemal Çala është 63 vjeçari që humbi jetën pasditen e djeshme në aksin Cërrik-Mollas. Ai drejtonte një automjet “Smart” dhe pasagjer kishte 22 vjeçarin Drilon Tabaku, i cili gjithashtu ndërroi jetë në vendngjarje.
Mjeti i tyre është përplasur nga mbrapa nga një mjet Mercedes Benz dhe nga goditja e fortë, përveçse është shtypur komplet në pjesën e pasme, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në arën krah saj.
Mësuesi Qemal Çala dyshohet se ka frenuar për të shmangur shtypjen e një qeni që i kishte prerë rrugën dhe në pak çaste pas tyre ka shkuar me shpejtësi të madhe mjeti Mercedes Benz. Nga përplasja, edhe drejtuesi tjetër, Sajmir Muça, 38 vjeç, ka mbetur i plagosur.



