I penduari i merr “më qafë” – Zbulohen 2 administratorët e call center-it mashtrues te ‘Delijorgji në Tiranë

spot_img
Advertisements

Hetimet e kryera nga policia dhe prokuroria e Tiranës, kanë arritur të çojnë tek gjurmët e pronarëve fundorë të një pike “Call-Centëri”, që u zbulua në zonën e quajtur “Delijorgji” në Tiranë.

Rasti është zbuluar në 11 qershor 2026, ndërsa prokuroria hapi dosjen penale Nr.4099, kundër 4 personave të quajtur Ernest Kurti, Marjo Myftari, Elio Dyrmishi dhe Amanti Jeshili, të cilët akuzohen për “Mashtrim kompjuterik” kryer në bashkëpunim, “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehje të ardhurash”.

Tashmë prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, po kryen veprime hetimore për arrestimin e dy personave të tjerë, të cilët besohet se janë administratorët e këtij “Call-Centëri” tek Delijorgji, ku prej andej janë mashtruar dhjetëra e qindra persona kryesisht në Austri, Gjermani e vende të tjera.

Ndërkohë që “IP” qëndrore e këtij “Call-Centëri” ndodhet në Angli. Një ndër punonjësit A.Elezaj, që është pyetur në polici lidhur me këtë çështje ka dhënë detaje të vlefshme për hetimin, duke treguar se ai kishte vetëm 3 ditë që ishte punësuar në këtë Call-Centër dhe më pas ishte shoqëruar në polici.

Elezaj, tregon se ka marë dijeni se kërkonin punë nga një faqe në “Instagram”, ku më pas i është dhënë një numër dhe është lënë takim tek zyra.

Ai ka treguar në polici se ka bërë intervistë me një djalë, të cilit nuk ia di emrin, dhe është pyetur nëse di frëngjisht, ku shprehet se vetëm ai e dinte këtë gjuhë.

Ndër të tjera ka deklaruar se ka dëgjuar kolegët teksa flisnin me shtetas të tjerë në lidhje me investime në bursë ose rikuperim parash të humbura më parë prej qytetarëve.

Sipas tij, nga operatorët që dëgjonte, klientëve u thuhej se do t’u kthehej një shumë e caktuar, 30,000 euro, dhe më pas u prezantohej një platformë false Online, ku i bindnin se paratë u ishin kthyer.

Pas kësaj, u kërkohej të investonin nga 2000 deri në 10.000 euro dhe, pasi klientët investonin këto shuma, paratë nuk u ktheheshin më dhe operatorët i bllokonin.

Elezaj, ka deklaruar se për këtë aktivitet pune, do të paguhej 1000 euro kur të fillonte. Më tej ai ka pohuar në polici se bisedën për mashtrimin e qytetarëve të huaj, e ka dëgjuar ditën e shoqërimit nga policia, dhe në atë moment ka kuptuar se bëhej fjalë për mashtrime ndaj klientëve apo shtetasve të huaj.

Gjithashtu në dëshminë e tij, A.Elezaj, tregoi se nuk ka kryer asnjëherë telefonata dhe nuk është paguar.

Ai ka shtuar se: “…nuk ka dijeni se kush është administratori, pasi në lidhje me rastin, shprehet se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet kompetente…”.

Por tashmë administratorët e kësaj pike “Call-Centëri”, janë identifikuar dhe policia së bashku me prokurorinë janë në kërkim të tyre.

Një tjetër dëshmitar i policisë, H. Reka, i cili ka treguar se ka punuar si operator “Call-Centër”, thotë se i janë dhënë disa numra dhe ka filluar t’i telefonojë, duke u thënë personave se kishin humbur para më parë dhe se ai mundësonte rikthimin e tyre, por në rastet e tij asnjë klient nuk ka pranuar.

Reka shton se nëse klientët do të pranonin, sipas trajnimit të dhënë, do t’u ofrohej një platformë false online dhe do t’u thuhej se aty ndodheshin paratë e tyre. Dhe si shpërblim për zhbllokimin, duhej të investonin një shumë sipas vlerësimit të operatorit, nga 500 deri në 10.000 euro.

Operatori H.Reka, ka pranuar se në rast se këto para merreshin, u kërkoheshin shuma edhe më të mëdha, deri sa klientët kuptonin se bëhej fjalë për platforma false dhe nuk do t’i rikuperonin më paratë e tyre.

Ai i ka treguar policisë se është paguar rreth 640 euro për aq ditë sa ka qenë në punë. Thekson se nuk e ka kryer këtë aktivitet në praktikë pasi klientët nuk kanë pranuar.

Shton se e ka filluar këtë punë pasi i është premtuar përfitim financiar, por në fillim nuk e dinte mënyrën e funksionimit të mashtrimit.

Reka, ka treguar se nuk njeh asnjë person, pasi sipas tij janë treguar shumë të kujdesshëm për të mbajtur identitetet e tyre private dhe se në ambient nuk qëndronte një person i caktuar si përgjegjës apo administrator i këtij “Call-Centëri”.

Mësohet se Ernest Kurti njihet si “Maksi” dhe është menaxher, Marjo Myftari është agjent, Amanti Jeshili është “IT” dhe Eljo Dyrmishi është suport.

Këta të ndaluar kishin rol organizativ dhe administrim të sallës së call-centërave, duke u fshehur përmes emrave të rremë si “Maks”, “Majkëll” ose “Xhejson”, “Olivia”, “Neit” “Elsa”, “Belvedero” e deri tek “Grifin”.

spot_img

Latest articles

Related articles