Biznesmeni Behgjet Pacolli, reagon sërish lidhur me aeroportin e Vlorës ku është aksioner.
Në një reagim në rrjetet sociale, ai thotë se, kërkojnë vetëm zbatimin e ligjit dhe vendimeve të gjykatave, për të mundësuar operimin e punimeve.
Edhe sot, pavarësisht vendimeve të formës së prerë të gjykatave, të cilat kanë shfuqizuar të gjitha “masat e sigurisë” të mëparshme si të pabazuara në ligj, hyrjet në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës vazhdojnë të mbeten të bllokuara.
Ne vazhdojmë të kërkojmë vetëm një gjë: zbatimin e ligjit, respektimin e vendimeve të gjykatave, mbrojtjen e një investimi strategjik më qindra miliona eurosh në interes të Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj.
Apelojmë te institucionet që të mundësojnë lëshimin në operim të kësaj vepre (sipas kontratës së koncesionit dhe vendimeve gjyqësore) si dhe ndëshkimin e çdo fajtori qe jashtëligjshëm kanë bllokuar dhe vazhdojnë të bllokojnë këtë vepër.
Një ditë më parë Gjykata e Tiranës i hoqi masat kufizuese të vendosura më herët shoqërisë VIA.
Gjykata vlerësoi si të paligjshëm vendimin e mëparshëm të gjyqtares Miranda Nakaj, duke zëvendësuar masën e sigurisë të vendosur më 05.06.2026 dhe duke hequr çdo kufizim mbi administrimin e shoqërisë nga ortaku mazhoritar.
Në reagimin e tij, Pacolli thekson se çështja lidhet edhe me një vendim të mëhershëm të Gjykatës së Lartë, i cili, sipas tij, i kishte rikthyer të drejtat e administrimit të shoqërisë VIA ortakut mazhoritar (MABCO).



