Policia blen 650 mijë euro gaz lotsjellës për protestuesit

spot_img
Advertisements

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka shpallur fituesin e tenderit për blerjen e gazit lotsjellës që do të përdoret nga automjetet speciale të menaxhimit të turmave.

Sipas dokumenteve të konsultuara nga skyweb.al, fituese e procedurës është kompania “RO. GAT SECURITY” sh.p.k, me një ofertë prej 58.5 milionë lekë me TVSH (~650 mijë euro).

Kompania “RO. GAT SECURITY” rezulton në pronësi të Begator Mane dhe Marsel Mane. Ajo është e njohur në tregun e sigurisë edhe për aktivitetin në fushën e shitjes së armëve, municioneve dhe administrimin e një poligoni qitjeje në Tiranë.

Objekti i kontratës është “Pajisje për përdorim policor”, konkretisht “OC Gas Solution”, me bazë Oleorezinë Capsicum, një substancë irrituese që përdoret nga policitë për shpërndarjen e turmave, neutralizimin e përkohshëm të personave të dhunshëm dhe kontrollin e trazirave.

Pjesa më e fortë e dokumentacionit lidhet me arsyetimin e urgjencës. Autoriteti kontraktor ka argumentuar se ndodhet në “kushtet e emergjencës”, pasi automjetet speciale që përdoren për menaxhimin e turmave nuk janë të furnizuara me gaz lotsjellës.

Policia ka aktualisht në përdorim 8 automjete speciale për menaxhimin e trazirave, por sipas dokumenteve, 6 prej tyre janë gati për t’u furnizuar me lëndën OC Gas Solution.

Kjo lëndë përdoret në makinat e ujit dhe lëshohet në formë “shiu”, e përzier me ujin në raport 5 deri në 10 për qind.

Pra, nuk bëhet fjalë për spray dore që mbahet nga efektivët individualisht, por për gaz lotsjellës që përdoret në automjetet speciale kundër turmave.

Oleoresin Capsicum është përbërësi aktiv i njohur ndryshe si lëndë me bazë speci djegës. Ekspozimi ndaj saj mund të shkaktojë djegie të fortë në sy, lotim, mbyllje të pavullnetshme të qepallave, kollë, vështirësi në frymëmarrje, acarim të lëkurës dhe irritim të rrugëve të frymëmarrjes.

spot_img

Latest articles

Related articles