Kreu i SPAK Klodian Braho bëri një bilanc të punës para Komisionit të Ligjeve, ku u pyet edhe për vendimin e Kuvendit i cili rrëzoi kërkesën për arrestimin e Belinda Ballukut, e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë. Për Brahon një vendimmarrje e tillë nuk i pengon prokurorët që të vijojë hetimin. Por pyetjes së opozitës nëse SPAK e ka një strategji për çështjen e imunitetit, kreu i SPAK iu përgjigj se gjithsesi në shumë raste mungesa e masës dëmton hetimin dhe se për SPAK, imuniteti i deputetit nuk duhet të ekzistonte fare.
“Çështja konkrete, qëndrimi i SPAK është publik. Sa i përket situatës kushtuese, imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit por nuk ndalon prokurorinë të zhvillojë hetime të plota dhe të pavarura. Mungesa e një mase e vështirëson një hetim edhe e dëmton por nuk miratojmë ligje dhe jemi të detyruar t’i bindemi këtij kuadri ligjor. Të ishim ne pala që miratonte ndryshime ligjore, personalisht unë mendoj se s’duhet të kishte imunitet fare”, tha Braho.
Klodian Braho: Referimet e policisë janë rritur, gjatë këtij viti kemi patur referime nga Policia e Shtetit. Kemi vlerësimin me të madh për Policinë e shtetit, për të gjithë ata njerëz që punojnë. Si në çdo institucion, jo të gjithë janë njësoj, ndonjëri mund të ketë probleme me ligjin apo dyshojmë ne. Policia e Shtetit është partneri jonë i pazëvendësueshëm, nuk e zëvendësojmë ne, suksesi jonë është i lidhur me Policinë. Ne presim më shumë nga Policia e Shtetit dhe mendojmë se ka vend për më shumë, veprimet që mund të kryejë BKH edhe për arrestime të personave, janë veprime procedurale që ligji ia lejon BKH. Pengesat mund të vijnë për shkak të mungesës së një infrastrukture të dedikuar operacionale dhe taktike. Pavarësisht bashkëpunimit me institucionet e tjera, SPAK duhet të ketë pavarësi operacionale. S’duhet të varet nga institucione të tjera. Nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Shtetit, por jemi të bindur që duhet të kemi pavarësinë tonë procedurale dhe operacionale në mënyrë që për një çështje të caktuar, struktura të jetë e aftë të bëjë të gjithë ciklin e veprimeve hetimore. Është praktikë që e kemi parë edhe në institucionet homologe në vende të tjera më të cilat bashkëpunojmë



