Masiviteti i protestave gjatë muajit qershor treguan se skandalet e panumërta, niveli i lartë i korrupsionit dhe arroganca në qeverisje kanë shtuar pakënaqësinë mes qytetarëve, që e shohin veten të lënë mënjanë dhe të përjashtuar nga “mrekullia” e Shqipërisë turistike.
Pikërisht për të zbutur këtë pakënaqësi, qeveria Rama ka vendosur të shpërndajë nga nesër një bonus prej 50 mijë lekësh të vjetra për pensionistët, shtresa e fundit tek e cila mund të mbështetet. Lajmin e dha ministrja e ekonomisë, Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së qeverisë, që shpjegoi se ky ishte një bonus i papritur, që jepet në mes të verës për shkak të parave që janë shtuar në buxhetin e shtetit nga rritja e çmimit të naftës.
Vendimi vjen si reflektim banal ndaj atij orteku qytetarësh që pushtoi Tiranën gjatë muajit qershor me kërkesën për dorëheqje ndaj kryeministrit Edi Rama. Mbetet për t’u parë nëse Rama do të arrijë ta zbusë revoltën me 50 mijë lekët që po shpërndan papritur në mes të verës apo kriza e besimit shkon përtej një kartmonedhe për pensionistët.



